Nryshon ligji për sportin, flet ministrja Kushi

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Ndryshon ligji për sportin. Një lajm i mirë ky për të gjithë sportistët elitarë. Ka qenë vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi që ka deklaruar se janë miratuar disa ndryshime në kriteret e ligjit për sportin për të gjithë sportistët elitarë. Ata që fitojnë medalje në arenën ndërkombëtare do të marrin shpërblimin e duhur – ka thënë ministrja Kushi.

“Sot kemi lajme të mira për sportin, e veçanërisht për sportistët elitarë, ata që e përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë, që ngrejnë lart flamurin tonë kuqezi në kampionate ndërkombëtare, qofshin këto Ballkanike, Europiane apo Botërore. Konkretisht, me vendimin e sotëm, ne miratuam disa ndryshime në kriteret, shpërblimin dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre”, ka deklaruar Kushi.

Ky vendim është marrë pas ankesave të shumta të sportistëve shqiptarë që kanë marrë medalje në shumë aktiviteteve ndërkombëtare, por që ligji i vjetër i sportit nuk i përfshinte në listën e dhënies së shpërblimeve. Kushi ka sqaruar se veçanërisht për peshëngritjen shpërblimet do të jepen për medaljen e fituar në çdo disiplinë, në shtytje, shkëputje dhe dygarësh. E ai do të jetë i përcaktuar sipas fashave të rregulloreve ndërkombëtare.

“Masat e shpërblimit janë parashikuar sipas fashave të rezultateve në secilin prej kampionateve, Ballkanike, Europiane apo Botërore. Në mënyrë të veçantë dua të ndalem pak te sporti i peshëngritjes, sepse me anë të këtij vendimi për herë të parë, sportistët medalist do të shpërblehen për të gjitha garat: shtytje, shkëputje dhe dygarësh”.

Ministrja Kushi ka theksuar se shpërblimin sipas ligjit të ri për sportin do ta marrin edhe ata sportistë elitarë që kanë marrë medalje para miratimit të tij. Duke përfshirë këtu edhe peshëngritësin Briken Calja, për medaljen artë dhe dy të argjendtat që mori në botërori e zhvilluar pak ditë më parë.

“Për shkak të vakumit ligjor që nga momenti kur u miratua ligji për sportin në vitin 2020 dhe deri më sot, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kemi parashikuar në disa dispozita të fundit që edhe ata sportistë që e kanë përfituar statusin e nivelit të lartë menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, të trajtohen sipas këtij vendimi. Që do të thotë se Briken Calja, që sapo u shpall kampion, do të trajtohet, shpërblehet si sportistët e tjerë europian apo botëror. Pra sipas standarteve ndërkombëtare, sipas rregulloreve ndërkombëtare për herë të parë”, ka përfunduar Kushi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme