Briken Calja: Tani dua medaljen olimpike

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Briken Calja, Kampioni i Botës në stilin e shkëputjes në peshën 73 kilogram, por dhe nënkampion Bote në stilin e shtytjes dhe në dygarësh, është pritur si hero në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Familjarët, mes të cilëve dhe djali i vogël, por dhe miqtë e tij e kanë pritur me brohoritje dhe me flamuj kuqezi. Madje në momentin e daljes nga Aeroporti janë ndalur dhe qytetarë të thjeshtë për ta takuar Kampionin dhe Nënkampionin e Botës. E në pritjen e Caljes nuk ka munguar dhe rekordmeni i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli. Në një intervistë për RTSH Sport, Calja tregon dhe ndjesitë e tij të garës.

“Jam me të vërtetë shumë i lumtur, të mos harrojmë që ishte një rezultat historik. Është një medalje ari dhe dy argjendi, janë të parat në historinë shqiptare, kjo ishte dita e shqiptarëve dhe më bën të ndihem me fat dhe shumë i lumtur”.

Ajo që djeg edhe një ditë pas garës është prova e tretë në stilin e shtytjes me 190 kilogram, sepse ishte medalje e sigurtë e artë edhe në dygarësh.

“Padiskutim që aty ishte titulli kampion bote në dygarësh, ishte rekordi europian në dygarësh, 346 kg, normalisht që më dhemb, por ky është sporti”.

A ishte realisht kundërshtar i fortë indoneziani, Ervin Rahmat Abdullah?

“Është medalist olimpik, është një nga më të mirët e botës, ishte i treti në Lojërat Olimpike, ai që ma mori medaljen me një kilogram, por ky është sporti, duhet ta pranojmë. Të mos harrojmë që jemi kampionë Bote, jemi të dytët në botë dhe normalisht është një rezultat shumë i madh”.

Në peshën 73 kilogram ishte dhe Erkand Qerimaj, vendi i katërt në botë në dygarësh me 333 kilogram. Rivalitet dhe konkurrencë, por vlerësimi nga Calja për të nuk mungon

“Erkandi është një sportist i madh, i fortë, normalisht është garë shumë e bukur”.

Ndërkohë objektivat janë dhe më të mëdha, pavarësisht se ndihet keq, ndërsa kishte premtuar jo vetëm medaljen, por dhe thyerjen e rekordit Europian.

“E thashë dhe para nisjes se do sjell medalje dhe ia arrita. Thyerja e rekordit? Kalova disa pauza dhe normalisht që ia arrita qëllimit”.

Dhe me trajnerin pranë, që është Geraldi Toska, Calja realizoi tre medaljet në këtë Botëror.

“Ne tentuam të thyenim rekordin europian dhe të ruanim titullin kampion bote në dygarësh, por Brikeni nuk e realizoi provën e fundit, duke na e marrë vendin e parë indoneziani”.

Kohë për pushim, apo një stërvitjet që nuk ndërpritet?

“Kohë për pushim nuk ka, Europiani është pranë, është vitin tjetër, në prill. Sporti i peshëngritjes nuk ka kohë për pushim”.

Sakaq, Erkand Qerimaj, teksa është i kënaqur me vendin e katërt në këtë Botëror, aq më tepër që ka ndryshuar dhe peshën, e ka lënë të prononcohet në një kohë tjetër. Kështu që vëmendja mbeti e gjitha e përqendruar tek Briken Calja, kampion dhe nënkampion bote në peshën 73 kilogram.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme