Triologjia Fury-Wilder, menaxherët prenotojnë stadiumin me 65

Duket se zërat se sfida e tretë mes boksierëve Tyson Fury e Deontay Wilder do të zhvillohet jashtë Amerikës kanë qenë një “fluskë sapuni”. Sipas mediave amerikane, promotori i njohur i boksit Bob Arum ka prenotuar stadiumin “Allegiant Stadium” për këtë sfidë të tretë mes dy boksierëve të peshës së rëndë. Ndërsa data është ajo e konfirmuar 24 orë më parë, 19 dhjetori.
Stadiumi i futbollit ka një kapacitet prej 65 mijë vendesh, por që mund të shkojë deri në 72 mijë vende për duele të tilla. Ai ndodhet në Las Vegas (Nevada), qytet ku u zhvillua edhe përballja e dytë mes dy boksierëve, në shkurt të këtij viti. Në këtë duel të dytë triumfoi Tyson Fury me “KO teknik”, duke i marrë Wilder titullin kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC).
Natyrisht që si data ështu edhe vendi nuk janë ende zyrtare, por Bob Arum, që është promotori i Fury, kërkon një stadium të madh dhe shumë tifozë për këtë triologji mes dy boksierëve. Nga ndeshja e dytë u arkëtuan 18 milionë dollarë nga shitja e biletave, shumë që pritet të jetë më e madhe në sfidën e tretë.
Kjo zgjedhje për ta zhvilluar duelin e tretë në “Allegiant Stadium” (stadium i mbyllur) bëhet edhe për faktin se ai mund të jetë gjysmë i mbushur. Në rast se situata me koronavirus do të jetë ende kritike, atëherë stadiumi mund të mbushet në gjysmën e kapacitetit të tij, duke ruajtur distancimin social.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




