Kampionati i basketbollit në kaos, Goga Basket ultimatum Federatës

Sporte të tjera | 6 vite më parë

E ardhmja e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit në Shqipëri (sezoni 2019-2020) është ende në dilemë. Kampionati është ndërprerë që në mars për shkak të koronavirus dhe nuk ka rinisur.

Kryesia e FSHB-së ka marrë një vendim në fillim të qershorit për të zhvilluar kampionatin e femrave më datat 13-14 qershor në Vlorë, me 4 ekipet më të mira. Por kjo gjë nuk ndodhi dhe fati i kampionatit të femrave është ende në dilemë.

Të njëjtin fat rrezikon të ketë edhe kampionati i meshkujve, që është parashikuar të nisë më 21 qershor në Tiranë (salla Feti Borova). Duke parë situatën aspak të mirë, me raste të reja të Covid-19 në vendin tonë, sot ka ardhur një reagim nga skuadra kampione e Goga Basket.

Presidenti i skuadrës kampione të Goga Basket, Perikli Goga, në një deklaratë për mediat, dërguar edhe FSHB-së, sqaron: “Nuk kemi qenë dakord për rinisjen e kampionatit që në maj, por komiteti drejtues vendosi për PO. Një vendim i nxituar, që ne e pranuam dhe mblodhëm ekipin për t’u stërvitur”.

“Ne i kërkojmë Presidentit të FSHB-së, të zgjedhë një nga opsionet e mëposhtme: 1-Të respektojë datat e ndeshjeve të publikuara dhe zhvillojë kampionatin në kushte të forta sigurie. 2-Duke parë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që nuk është dakord të zhvillohet kampionati i basketbollit, FSHB-ja të deklarojë të mbyllur këtë sezon, pa fitues e humbës. Kjo na çliron nga shpenzimet financiare të mëdha në këtë kohë krizë; 3-FSHB të sjellë një propozim tjetër. Ne kërkojmë një vendim brenda 24 orëve”, thotë Perikli Goga.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme