UFC-250, Amanda Nunes paralajmëron rivalen: Kujdes në kafaz

Këtë fundjavë (6 qershor), në Las Vegas, do të zhvillohet eventi UFC-250 në artet marciale mikse, ku sfida kryesore është ajo për titullin kampion bote në peshën “featherweight” (pesha 61-66kg) për femra. Përballë njëra-tjetrës do të jenë kampionia në fuqi, sportistja braziliane Amanda Nunes dhe sfidantja kanadeze Felicia Spencer. Nunes (19 fitore e 4 humbje), që ka fituar 10 duelet e fundit në kafaz, synon të mbrojë titullin kampion edhe ndaj Spencer (8 fitore e 1 humbje). Kjo përballje duhej të ishte zhvilluar në UFC-249, por për shkak të koronavirus u shty një muaj. “Kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por tashmë jam gati. Nuk kam ndërmend të bëj tani gabime dhe do të tregoj se sa vlej edhe ndaj Spencer. Kam 5 vjet që nuk e njoh fjalën humbje, duke triumfuar edhe kur nuk besonin tek unë, ndaj do të vijoj me këtë ritëm edhe këtë fundjavë. I them Spencer të ketë kujdes ndaj meje, nuk do ta fal në kafaz”, tha Nunes. Nunes gjatë viteve të fundit ka mposhtur mjaft nga ikonat e UFC-së, si Ronda Rouse, Cris Cyborg, Valentina Shevchenko, Holly Holm, Miesha Tate etj. Ajo mban edhe titullin e peshës “bantamweight” (pesha 56-61kg) në artet marciale mikse.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




