Vrau policin se i tërhoqi vëmendjen për shpejtësinë, Prokuroria e Fierit çon në gjyq autorin
Prokuroria e Fierit mbylli hetimet dhe çoi dosjen për gjykim për autorin e vrasjes së policit në Fier, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar.
Organi i akuzës tha të premten, se Asllan Mërnica ekzekutoi me armë zjarri efektivin e policisë Novruz Cenalia, pas konfliktit mes mes tyre, ku shkak u bë futja me shpejtësi në një kthesë e automjetit, ku punonjësi i policisë i kishte tërhequr vëmendjen autorit për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Prokuroria vijon më tej, se ishte pikërisht ky moment kur Mërnica ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, nxori armën e zjarrit të llojit pistoletë që mbante me vete dhe e qëlloi atë për vdekje.
Mërnica akuzohet për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’.
Në momentin e ngjarjes, e cila ndodhi në muajin maj të vitit të shkuar në Fier, punonjësi i Policisë mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” dhe ishte në praninë e nënës së tij, por pavarësisht kësaj autori e qëlloi për vdekje.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




