Presidenti Begaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Gjilan

Presidenti Bajram Begaj, është nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti publik “Kadri Zeka” i Gjilanit. Përtej vlerësimit personal, Kreu i Shtetit e cilësoi këtë nderim një përgjegjësi për të mbështetur me çdo formë të mundshme atë që ky universitet dhe çdo institucion shqiptar i arsimit të lartë përfaqëson dhe një përgjegjësi të përbashkët për arsimin dhe brezat e ardhshëm.
“Ne duhet të rrisim një brez të ditur, një brez me moral, një brez të aftë profesionalisht, me ndjenjën e përkatësisë, përgjegjësisë dhe interesit kombëtar”, deklaroi Begaj.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për shfrytëzimin e potencialeve për një arsim cilësor, për përgatitjen e njerëzve të aftë dhe me vlera dhe për investime në dije: “Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, një të ardhme të përparuar dhe një të ardhme të denjë për brezat që vijnë, nuk ka rrugë tjetër përveç edukimit cilësor.
Ndërsa renditi sfidat me të cilat përballet sot arsimi i lartë shqiptar, Begaj i mëshoi domosdoshmërisë për përgatitjen e profesionistëve të zotë, njerëzve të ditur dhe me integritet: “Nuk mjafton thjesht të kemi më shumë universitete, më shumë diploma apo më shumë programe studimi, por na duhen më shumë, më shumë njerëz të aftë. Na duhen më shumë shkencëtarë, më shumë sipërmarrës, më shumë mendimtarë dhe më shumë udhëheqës të përgjegjshëm, të cilët mendojnë për gjeneratën tjetër.”
Duke iu referuar ritmit me të cilin bota po ndryshon nga inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e avancuara, Presidenti theksoi rëndësinë e përgatitjes së një shoqërie konkurrente. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit çmoi investimet në arsim si një mundësi e rëndësishme zhvillimi: “Sot teknologjia nuk është thjesht një mjet, por një filtër për ndarjen e kombeve: në ato që do të udhëheqin dhe ato që do ta ndjekin nga pas. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të jenë vetëm ndjekëse, nuk mund të jenë konsumatorë pasivë të dijeve dhe teknologjisë që prodhohet diku tjetër. Ne duhet të jemi kontribuues aktivë, por për këtë na duhet një rini e përgatitur, e arsimuar, e edukuar dhe e aftë, një brez që jo vetëm përdor teknologjinë, por që zhvillohet dhe krijon të ardhmen e saj.”
Duke iu referuar suksesit të shqiptarëve në mjekësi, në shkencë, art, teknologji apo diplomaci, Begaj theksoi se ata ia dolën sepse investuan te vetja, te dija dhe vlerat e tyre. “Çdo brez i shqiptarëve që ka ecur përpara, ka ecur përmes dijes, jo përmes fatit apo rrethanave të favorshme”, nënvizoi Begaj, duke e cilësuar këtë si leksionin më të madh për të ardhmen.
Kreu i Shtetit bëri apel për krijimin e mundësive që investimi i tyre t’i shërbejë shoqërisë shqiptare: “Ajo që duhet të bëjmë është të krijojmë një mjedis ku dijet dhe aftësitë të kthehen në veprim, në ndikim real për shoqërinë tonë. Një komb që ka një rini të shkolluar, është një komb që nuk mund të ndalet. Një komb që investon te rinia e tij, është një komb që shkon i sigurt drejt sukseseve dhe drejt arritjeve.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




