Përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, në KZAZ nr. 43 në Kavajë procesi po ecën normalisht
25 ditë larg nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve vazhdojnë me intensitet punën, në mënyrë që çdo gjë që lidhet me infrastrukturën e zgjedhjeve të jetë gati.
Në qytetin e Kavajës gjendet KZAZ nr 43. Kryetari i saj, Tauland Biturku, thotë se puna ka nisur që në muajin shkurt, siç e parashikon Kodi Zgjedhor dhe çdo gjë ka ecur normalisht.
“Jo vetëm për sa i takon verifikimit të qendrave të votimit, por edhe informimit të zgjedhësve në lidhje me vendvotimet që do të kenë në çdo QV. Është realizuar një punë goxha e madhe, edhe në përgatitjen e listave zgjedhore, dhe e kemi rakorduar punën me gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve për t’i pasur nën monitorim listat, që të mos dëmtohen,” shprehet z. Biturku.
Risia e këtyre zgjedhjeve janë lehtësirat e krijuara në votim për personat me aftësi të kufizuar.
Në Kavajë janë 20 persona para- dhe tetraplegjikë dhe 92 persona me statusin “i verbër”, për të cilët do të vihet në dispozicion një rampë lëvizëse, ditën e zgjedhjeve.
KZAZ nr. 43, e cila përfshin bashkinë e Kavajës dhe fshatrat përreth saj, përfshin 95 qendra votimi.
Në total për këtë KZAZ janë regjistruar 62.968 zgjedhës me të drejtë vote.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




