Ndërron jetë pas aksidentit me motorr futbollisti 13-vjeçar

Futboll Vendi | 2 vite më parë

Fabian Shpati, futbollisti 13-vjeçar i “Fc Djelmnia Shkodrane 2017”, ka ndërruar jetë pas një aksidenti me motorr në fshatin Stom Golem të Shkodrës.

Akademia e futbollit “Fc Djelmnia Shkodrane 2017” ka postuar një mesdazh ngushëllues:

“Lamtumirë Fabian…

Sot zemrat tona janë të thyera… U nda nga jeta shumë herët, në moshën vetëm 13-vjeçare. Fabian Shpati, një djalë i artë dhe futbollist i talentuar i ekipit Djelmnia Shkodrane U13.

Një engjëll në fushë, gjithmonë me buzëqeshje, pasion dhe shpirt gare. Ikja jote e parakohshme na ka lënë pa fjalë, por kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.

Pushofsh në paqe Fabian, fushat e parajsës tashmë kanë një kampion më shumë. Lutje për shpirtin tënd dhe ngushëllime të sinqerta familjes Shpati dhe të gjithë miqve e shokëve”.

Nuk ka munguar një mesazh ngushëllimi dhe nga klubi i Vllaznisë: Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike pas aksidentit të djeshëm e Fabian Shpatit ka qenë një ngjarje e rëndë për të gjithë, përfshirë këtu edhe komunitetin e futbollit pasi Fabiani 13 vjeçar ishte një lojtar me perspektivë qê po rritej tek Akademia e Futbollit “Djelmnia shkodrane”.

KF Vllaznia dhe Akademia Vllaznia i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Shpati, e po ashtu edhe Akademisë së Futbolllit “Djelmnia shkodrane” për këtë humbje të madhe.

Prehu në paqe Fabian!

Për këtë ngjarje të trishtë ka reaguar dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Një lajm tragjik ai i ndarjes nga jeta të Fabian Shpatit, djaloshit 13-vjeçar që ëndërronte që një ditë të bëhej futbollist dhe stërvitej dhe luante çdo ditë në akademinë “Djelmnia shkodrane”.

Ëndrra e Fabianit u ndërpre në mes nga një aksident dhe dua, që në emrin tim dhe të Federatës së Futbollit, t’i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së djaloshit, akademisë “Djelmnia shkodrane”, të afërmve dhe miqve me të cilën ai ndante të njëjtën ëndërr.

Prehu në paqe Fabian!


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme