“Zjerm” nga Shkodra Elektronike mes pesë pretendentëve për ta fituar Eurovizionin 2025, sipas sondazheve

Muzikë | 2 vite më parë

Eurovizioni është më pak se një muaj larg dhe pritshmëritë duken tejet të larta brenda dhe jashtë vendit për këngën nga Shqipëria, “Zjerm”.

Mijëra fansa të apasionuar pas festivalit që do të mbahet në Zvicër e rendisin dyshen Shkodra Elektronike mes pretendentëve kryesorë për ta fituar garën ikonë të muzikës europiane.

Në faqen “Eurovisionworld”, mbi 104 mijë persona i japin përgjigjur pyetjes se kush duhet ta fitojë edicionin e sivjetëm të Eurovizionit. Gati 6 mijë individë janë shprehur për Shqipërinë, duke e renditur vendin të pestin në listën e kryesuar nga Suedia.

Në “My Eurovision ScoreBoard”, një aplikacion për të vlerësuar pëlqyeshmërinë e një kënge konkurruese nga komuniteti i fansave të Eurovizionit, mbi 47 mijë persona kanë dhënë votën e tyre që Shqipëria do të arrijë të kualifikohet pas gjysmëfinales. Ky rezultat e rendit Shkodrën Elektronike dhe këngën e tyre “Zjerm” ndër dy të parat në rrugën drejt finales, sipas audiencës virtuale.

Në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, “Zjerm” fitoi mbështetjen e jurisë profesioniste, publikut vendas dhe diasporës për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.

Shkodra Elektronike do të interpretojnë të dymbëdhjetët në gjysmëfinalen e parë, që mbahet në Bazel të Zvicrës më 13 maj.

Pak ditë më parë, dy artistët shqiptarë performuan në festën paraprake të Eurovizionit që u mbajt në Londër, duke ngjallur emocione të forta me lëvizjet plot shprehi të këngëtares Beatriçe Gjergji, e shoqëruar nga Kolë Laca, të dy autorë të tekstit me ndihmën edhe të Lekë Gjeloshit.

Në intervistat e prapaskenës me moderatorin William Lee Adams, Beatriçja dhe Kola përsëritën befasinë e tyre që janë fitues të Festivalit të Këngës në RTSH dhe mundësinë që të triumfojnë edhe në Eurovizion.

“A mos jeni çmendur?! … Bota është plot me të çmendur,” iu përgjigjën të surprizuar dy artistët shqiptarë, pyetjes së fansave se mund të jenë ata që do ta ngrenë trofeun e Eurovizionit 2025.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme