Ndërkombëtarizimi – “Luigj Gurakuqi”, partneritet me 15 universitete të vendeve të BE
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” aktualisht ka partneritet me 15 universitete nga 7 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që synimi është zgjerimi i mëtejshëm i ndërkombëtarizimit.
Në qendër të bashkëpunimit me universitetet partnere është trajnimi i studentëve, stafit akademik dhe atij administrativ.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë fakultetet e ekonomisë, gjuhëve të huaja, drejtësisë dhe shkencave të natyrës.
“Kemi disa marrëveshje bashkëpunimi me universitete të ndryshme italiane, gjermane, franceze dhe holandeze. Aktualisht kemi 12 studentë të universitetit tonë, të cilët janë duke bërë një semestër në universitetet partnere. Kemi 24 anëtarë të stafit që kanë marrë pjesë në këto mobilitete, po ashtu edhe 28 anëtarë të stafit akademik e administrativ të universiteteve partnere, që kanë vizituar universitetin tonë,” thotë Erard Çurçija, përgjegjës i sektorit të ndërkombëtarizimit në Universitetin e Shkodrës.
Sipas drejtuesve të sektorit, në jo pak raste, vitet e fundit ka pasur edhe hezitime nga studentët për ndjekjen e trajnimeve në universitetet partnere.
“Studentët fillimisht hezitojnë të aplikojnë, por në momentin që lëvizin, fillojnë mobilitetin dhe e përjetojnë eksperiencë, e shohin si një mundësi shumë të mirë për rritjen dhe kualifikimin e tyre, si dhe për bashkëndarjen e eksperiencave me studentë të huaj,” tregon z. Çurçija.
Gjatë pesë viteve të fundit, 115 studentë dhe rreth 100 pedagogë nga Universiteti i Shkodrës kanë përfituar nga programet e mobilitetit në partneritet me universitetet e huaja.
Ndërkohë, 5 studentë dhe 65 anëtarë të stafeve nga universitetet evropiane kanë zhvilluar studime dhe trajnime në Universitetin e Shkodrës.
Gazetar: Altin Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




