Ndarja nga jeta e Papa Françeskut- Kardinalët në Romë takohen për planifikimin e funeralit

Botë | 2 vite më parë

Ka nisur numërimi mbrapsht për funeralin e Papa Françeskut. Kardinalët në Romë do të takohen këtë të martë (22 prill) për të planifikimin e detajeve të funeralit të Papa Françeskut, ku pritet të përcaktohet se kur do të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit trupi i Papës, në mënyrë që besimtarët të bëjnë nderimet e tyre.

Vatikani ka deklaruar më herët se ky transferim mund të bëhet mëngjesin e së mërkurës.

Data më e mundshme për varrimin e Papa Françeskut do të jetë dita e shtunë (26 prill), megjithëse pritet të konfirmohet zyrtarisht.

Vdekja e Papës Françesku, e cila ka shkaktuar pikëllim global, shënoi fillimin e nëntë ditëve të zisë zyrtare, të quajtur Novendiales, me varrimin zakonisht midis ditëve të katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së tij.

Trupi i papës së ndjerë u transferua të hënën në kapelën e bujtinës Shën Marta, ku ai banonte. Zyra dhe banesa e tij zyrtare u vulosën, siç e dikton tradita.

Qeveria italiane pritet të shpallë tre ditë zie kombëtare.

Varrimi i Papës, siç ka kërkuar ai, do të jetë modest. Sipas dëshirës së tij të fundit, ai do të varroset thjesht në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë Papë të mëparshëm.

Teksti i testamentit të tij, i cili u bë publik të hënën, saktëson se Papa Françesku donte të varrosej “në tokë, pa dekorim të veçantë”, por me mbishkrimin e emrit të tij papal në latinisht: “Franciscus”.

Papët zakonisht varrosen nën bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, por Françesku i thjeshtoi ceremonitë për funeralet papale vitin e kaluar.

Papa, pasi kishte kaluar vitin e 88-të të jetës së tij, me disa probleme shëndetësore – veçanërisht – vitin e fundit, e dinte se fundi i tij po i afrohej dhe ishte përgatitur për të.

Françesku, jezuiti i parë dhe Papa i parë nga Amerika Latine, magjepsi botën me stilin e tij modest dhe shqetësimin për të varfërit, ndërsa kritikat e tij ndaj kapitalizmit dhe ndryshimeve klimatike ishin intensive.

Shtatë ditë zie do të mbahet në vendlindjen e tij, Argjentinë, si dhe në Brazil.

Vdekja e Papa Françeskut vjen në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit për ndjekësit e Kishës Katolike Romake dhe më pak se 24 orë pasi Papa i sëmurë iu drejtua besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit të dielën e Pashkëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme