Mbledhjet e pranverës në Uashington – Ekonomia shqiptare merr vlerësime nga FMN dhe Banka Botërore

Ekonomi | 2 vite më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, takime të cilat bëjnë bashkë ministra financash, guvernatorë si dhe drejtues të lartë të institucioneve financiare.

Në këto takime, kreu i Bankës së Shqipërisë mori vlerësime për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

“Fondi Monetar dhe Banka Botërore gjykojnë se Shqipëria është në një trajektore pozitive zhvillimi. Ekonomia jonë pritet të rritet me një normë prej 3.5-4% në afatin e mesëm dhe të shkurtër. Inflacioni do të mbetet nën kontroll. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, objektivi prej 3% për inflacionin do të arrihet vitin e ardhshëm”, tha Sejko.

Vlerësime pati edhe për treguesit makroekonomikë, si dhe për procesin e integrimit.

“Gjithashtu, u vlerësuan edhe reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe të gjitha autoritetet publike në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, tha Sejko.

Në këto takime u diskutua edhe rreth modernizimit të sistemit të pagesave SEPA, ku Shqipëria parashikohet të integrohet plotësisht në tetor të këtij viti.

“Jemi duke punuar me Bankën e Italisë për të implementuar një sistem pagesash të shpejta, i cili do të jetë i disponueshëm për ekonominë shqiptare dhe qytetarët në mesin e vitit 2026”, tha Sejko.

Gjithashtu, gjatë takimeve u theksua performanca e mirë e sistemit bankar, i cili mbetet likuid, me tregues të shëndetshëm financiarë dhe me një nivel të ulët të kredive me probleme (NPL), i cili ka rënë nga 25% në vitin 2014 në 4% në vitin 2025.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme