Rama dhe Koçiu inspektojnë Spitalin psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë: Infrastrukturë moderne dhe trajtim multidisiplinar

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektuan ambientet e reja të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, një strukturë e investuar përmes buxhetit të shtetit.
Ministrja Koçiu tha se në Spitalin Psikiatrik të Vlorës është investuar duke rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para 2 shtëpi që quhen të mbrojtura për pacientë që vuajnë nga problematikat të shëndetit mendor.
“Godina ku jemi këtu është një godinë e cila shërben për pacientët burra, me një kapacitet prej 60 shtretërish dhe po e njëjta gjë është kryer edhe në godinën për pacientet gra, në të cilat ofrohet gjithashtu një shërbim i specializuar për të gjithë ata pacientë që trajtohen këtu”, u shpreh Koçiu.
Gjithashtu ministrja Koçiu tha se “Spitali është ndërtuar në vitin 1926 dhe ka qenë një strukturë tërësisht e amortizuar” si dhe sqaroi se “investimi i parë është kryer në vitin 2015 me trajtimin e strukturës që akomodon ato pacientë që kanë nevojë për trajtim akut në dy shtëpitë e mbrojtura për pacientët burra dhe pacientet gra”.
Ministrja nënvizoi se vlera e investimit në infrastrukturë dhe pajisje për këto dy shtëpi është 2.6 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Duke theksuar se ky investim përbën dhe një model të ri trajtimi për pacientët me problematika të shëndetit mendor ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se “ofrohet shërbimi i specializuar jo vetëm me trajtimin psikik, por edhe në terapi psikologjike me ekipe multidisiplinare. Në këtë kat ku ndodhemi kemi 5 dhoma pacientësh, ndërkohë që në katin sipër jan 20 dhoma të tjera sipas të gjithë standardeve. Tashmë ka ndryshuar dhe mënyra si trajtohen pacientët me problematika të shëndetit mendor kemi krijuar kushte sa më pranë komunitetit duke i rehabilituar që të mos ndihen të izoluar”- tha Koçiu.
Në përfundim të fjalës së saj Koçiu u ndal tek rëndësia që po i kushtohet në tërësi përmirësimit të infrastrukturës spitalore që ofrojnë shërbim të kujdesit shëndetësor mendor.
“Ky nuk është i vetmi spital që po ndërhyjmë. Ne po ndërhyjmë gjithashtu edhe në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe Spitalin Psikiatrik brenda QSUT-së” – përfundoi Koçiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









