Kreu i Shin Betit izraelit jep dorëheqjen, dështoi në sulmin vdekjeprurës të Hamasit

Botë | 2 vite më parë

Kreu i shërbimit të inteligjencës së brendshme të Izraelit ka njoftuar dorëheqjen e tij për shkak të dështimit të agjencisë për të paralajmëruar për sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit 2023 nga Hamasi.

Kreu i Shin Bet, Ronen Bar, tha se do të japë dorëheqjen më 15 qershor, pas një mosmarrëveshjeje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili u përpoq ta shkarkonte muajin e kaluar.

Bar e bëri njoftimin të hënën në një aktivitet përkujtimor për ushtarët e rënë të Shin Bet.

“Pas vitesh në shumë fronte, një natë, në frontin jugor, qielli u shemb”, tha Bar duke iu referuar sulmit, i cili vrau më shumë se 1,200 njerëz në Izraelin jugor dhe shkaktoi luftën Izrael-Hamas në Gaza.

“Të gjitha sistemet u shembën. Shin Bet gjithashtu dështoi të jepte një paralajmërim. Kushdo që nuk arriti ta ndalonte sulmin duhet të ulë kokën me përulësi para të vrarëve, të vdekurve, të plagosurve, të rrëmbyerve dhe familjeve të tyre dhe të veprojë në përputhje me rrethanat”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, Netanyahu u përpoq ta shkarkonte Bar-in muajin e kaluar për shkak të asaj që ai e quajti një krizë besimi rreth sulmit të Hamasit.

Por ky veprim shkaktoi trazira brenda vendit sepse Shin Bet po heton lidhjet midis zyrës së Netanyahut dhe Katarit, një ndërmjetës midis Hamasit dhe Izraelit për luftën në Gazë.

Shin Bet po heton akuzat se këshilltarët e ngushtë të Netanyahut vepruan si konsulentë të paguar për Katarin – i cili nuk ka marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin – ndërsa punonin edhe për kryeministrin. Netanyahu nuk është implikuar drejtpërdrejt në hetim, transmeton Euroneës.

Gjykata Supreme e Izraelit ngriu shkarkimin e Bar pas sfidave të shumta ligjore kundër këtij veprimi dhe u bëri thirrje palëve të arrijnë një kompromis.

Në fjalimin e tij Bar tha se procedurat gjyqësore “nuk kanë të bëjnë me çështjen time personale, por me pavarësinë e krerëve të ardhshëm të Shin Betit”.

Bar paraqiti një dokument në Gjykatën Supreme javën e kaluar që akuzonte Netanyahun se po përpiqej të shfrytëzonte pushtetin e Shin Bet për përfitime politike dhe personale.

Netanyahu ka pohuar vazhdimisht se një “shtet i thellë” i nëpunësve civilë dhe gjyqtarëve të pazgjedhur po përpiqet ta rrëzojë atë.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se kreu i Shin Bet është menduar të jetë një figurë e pavarur dhe kanë frikë se largimi i Bar do t’i hapë rrugën kryeministrit për të emëruar një aleat në këtë post kaq delikat.

Shin Bet është përgjegjës për monitorimin e grupeve militante palestineze, dhe Bar më parë ka pranuar dështimet e agjencisë së tij në parandalimin e sulmit të Hamasit më 7 tetor. Netanyahu i ka fajësuar dështimet ushtrisë dhe agjencive të sigurisë dhe vazhdimisht i ka rezistuar thirrjeve për një komision zyrtar hetimor shtetëror.

Bar është një prej figurave kryesore të sigurisë izraelite që dha dorëheqjen pas sulmit të Hamasit – përfshirë ish-ministrin e mbrojtjes dhe shefin e ushtrisë. Këtë muaj, Netanyahu veproi për të emëruar një ish-komandant të marinës si shefin e ri të Shin Bet. Emërimi u anulua më pak se 24 orë më vonë pasi u bë e ditur se i nominuari kishte marrë pjesë në protesta antiqeveritare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme