Berisha takon ish-komisionerin e BE, Hahn: Do ngre zërin për problematikat e paraqitura nga PD

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar të mërkurën një takim me ish-komisionerin europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, për të diskutuar mbi situatën politike në Shqipëri.

Sipas njoftimit për shtyp, në qendër të bisedës ishin gjendja e demokracisë në vend, përfshirë kapja e institucioneve, presioni ndaj opozitës dhe largimi masiv i qytetarëve shqiptarë.

Berisha theksoi se “keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama dhe përfshirja e tij në manipulimin e institucioneve ka sjellë një erozion të standardeve demokratike”.

Ai ngriti shqetësime edhe për heshtjen dhe qëndrimin pasiv të disa zyrtarëve në Bruksel dhe ambasadorëve të huaj, të cilët, sipas tij, kanë mbyllur sytë ndaj këtyre fenomeneve dhe kanë mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë Ramën.

“Nga ana tjetër, Komisioneri Hahn shprehu angazhimin e tij të plotë për të qenë një avokat i fortë për forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe për të mbështetur integrimin evropian të vendit. Ai u zotua se do ta ngrejë zërin për të gjitha problematikat që janë ngritur nga Partia Demokratike dhe që janë pasqyruar në rezolutat e mbështetura nga Partia Popullore Evropiane (PPE)”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Sipas PD-së, “takimi u vlerësua si shumë pozitiv dhe konstruktiv, duke dhënë sinjale për një mbështetje më të qartë ndaj aspiratave demokratike të Opozitës shqiptare dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshim”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme