Alcajmeri, truri që venitet. Zbulimi i hershëm për ta përballuar më lehtë sëmundjen

Sociale | 1 vit më parë

Alcajmeri (gjerm. Alzheimer) është një sëmundje që shkakton humbje të memories dhe ndikon thellë në jetën e individëve.

Mjeku neurolog Gleni Halili na shpjegon se çfarë është Alcajmeri dhe faktorët që ndikojnë në të.

“Në gjuhën e popullit njihet si ‘plakja e trurit’. Në fakt ka të bëjë me një proces degjenerativ të trurit, që prek kujtesën dhe aftësitë njohëse të individit. Lidhet edhe me çrregullimet e sjelljes apo të humorit. Risku është më i lartë në moshat mbi 65 vjeç dhe çdo pesëvjeçar që kalon, risku dyfishohet për vuajtjen nga sëmundja e Alcajmerit. Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, si niveli i stresit, stili i jetesës, sëmundjet cerebro-vaskuale, sëmundjet inflamatore kronike dhe traumat e kokës,” tregon Dr. Halili.

Cilat janë simptomat dhe si diagnostikohet kjo sëmundje?

“Pacienti fillon që të humbasë kujtesën, sidomos për gjërat e vogla gjatë ditës, por me kalimin e viteve situata rëndohet dhe pacienti nuk është në gjendje të kujdeset për veten apo të bëjë veprime të cilat më parë i kryente normalisht. Ne bazohemi te shenjat klinike për të vendosur diagnozën, por ka edhe disa teste që ne bëjmë për të testuar aftësitë njohës të individit,” thotë mjeku neurolog.

Por si trajtohet ?

“Alcajmeri nuk është një sëmundje e shërueshme apo e trajtueshme me medikamente. Medikamentet njihet që rrisin përqendrimin dhe vëmendjen, dhe mundohen të stimulojnë aftësitë njohëse të individit. Sa rëndësi ka terapia farmakologjike? Ka rëndësi shumë edhe terapia pa medikamente, që ka të bëjë me suportin që pacienti merr nga familjarët, komuniteti, përfshirja në aktivitete që stimulojnë trurin, të cilat stimulojnë aktivitetin njohës të pacientit,” shton Dr. Halili.

Vetëm përmes trajtimit dhe mbështetjes së vazhdueshme mund të ndihmojmë ata që vuajnë nga Alcajmeri.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme