Alergjitë e pranverës, mjekja: Diagnoza e saktë, thelbësore për fillimin e trajtimit

Sociale | 1 vit më parë

Në urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit, një numër i lartë pacientësh po kërkojnë shërbim mjekësor për shkak të alergjive sezonale.

Mjekja alergologe, Lorilda Budo bën të ditur se gjatë kësaj periudhe është vërejtur një rritje e numrit të pacientëve me simptoma të alergjisë, si lotimi, skuqja e syve, lodhja, teshtima, irritimi i lëkurës dhe vështirësia në frymëmarrje.

“Ka mjaft pacientë që vijnë të marrin shërbimin e spitalit dhe mjekut specialist. Problemet janë të ndryshme sikurse ato me tharje dhe kruarje të hundëve apo lotim të syve deri tek astma bronkiale dhe kriza asmatike. Po ashtu vijnë edhe për probleme të lëkurës”, tha mjekja.

Mjekja thekson se vendosja e një diagnoze të saktë ndihmon në fillimin e trajtimit më të përshtatshëm.

“Do kujdesin e duhur, diagnozën e duhur, pacienti të shkojë tek mjeku specialist për të bërë ekzaminimet për t’u kapur me kohë. Pas diagnostifikimit duhet dhe menaxhimi i duhur i sëmundjes”, apelon mjekja.

Me ndërrimin e stinëve, luhatjet e shpeshta të temperaturave, ndryshimet klimatike, pluhuri në ambientet e jashtme dhe të brendshme, si dhe polenet, nxisin më tej alergjitë dhe problemet në rrugët e frymëmarrjes.

Mjekët vazhdimisht apelojnë që personat alergjikë të tregohen të kujdesshëm, veçanërisht në stinën e pranverës, dhe të ndjekin këshillat e rekomanduara nga specialistët.

Gazetare: Shkurta Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme