Akuzat për blerje votash- Kandidatja e PSD paraqitet në SPAK, GJKKO zbut masën për babanë e saj

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në “arrest shtëpie” Pandeli Bozhajn, babanë e kandidates për deputete të PSD, Limonera Bozhaj, i arrestuar dy ditë më parë për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Limonera Bozhaj, u paraqit këtë të mërkurë (14 maj) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), nga ku ka hedhur poshtë përfshirjen e babait të saj për “korrupsion në zgjedhje”.
Ajo deklaroi se koha do provojë faktet, ndërsa theksoi se drejtësia do bëjë punën e saj.
“SPAK duhet të bëjë punën e vetë. Nuk jemi përfshirë kurrë në gjëra të tilla. Do ja lëmë në dorë drejtësisë. Koha do i provojë dhe faktet”, deklaroi Limonera Bozhaj.
Pandeli Bozhaj u arrestua nën dyshimin për përfshirje në blerje votash në qytetin e Fierit, me qëllim favorizimin e vajzës së tij, Limonera Bozhaj, e cila kandidoi në zgjedhjet e 11 majit nën siglën e Partisë Socialdemokrate (PSD).
Sipas prokurorisë, Pandeli Bozhaj përdori kontakte personale dhe mjete financiare për të ndikuar tek zgjedhësit në favor të kandidaturës së së bijës. Ai u vu në pranga gjatë një operacioni të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të hetimeve për parregullsi zgjedhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



