Luftërat në botë, Papa Leoni XIV ofron të ndërmjetësojë mes udhëheqësve

Botë | 1 vit më parë

Papa Leoni XIV ofroi sot të ndërmjetësojë mes udhëheqësve të vendeve në luftë, duke theksuar se vetë do të bënte çdo përpjekje në mënyrë që paqja të triumfonte.

“Do të bëj çdo përpjekje që paqja të triumfojë. Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme të ndihmojë drejt uljes së armiqve në tryezën e bisedimeve në mënyrë që popujt të gjejnë shpresë dhe t’u rikthehet dinjiteti që meritojnë, dinjiteti i paqes. Popujt e botës sonë dëshirojnë paqe dhe nga zemra iu bëj thirrje udhëheqësve të tyre: le të takohemi, le të flasim, le të bisedojmë!” tha Papa Leoni.

Ati i Shenjtë, i cili u zgjodh në krye të Kishës Katolike javën e shkuar, gjithashtu u bëri thirrje të krishterëve që jetojnë në Lindjen e Mesme për të mos i braktisur shtëpitë e tyre.

“Falënderoj Zotin për ata që në heshtje dhe lutje endin pëlhurën e paqes, dhe për të krishterët, të cilët, në Lindjen e Mesme mbi të gjitha ruajnë dhe qëndrojnë në vendet e tyre, duke i rezistuar tundimit për t’i braktisur. Të krishterëve duhet t’u jepet mundësia, jo vetëm me fjalë, që të qëndrojnë në vendet ku kanë lindur me të gjitha të drejtat e nevojshme për një ekzistencë të sigurt!” u shpreh Ati i Shenjtë.

Në fjalimin që e mbajti në një aktivitet të dedikuar për 23 Kisha Katolike në Europën Lindore, Lindjen e Mesme, Indi dhe pjesë të Afrikës, Papa Leoni iu referua atyre me përshkrimin “kisha martire”, term i përdorur nga paraardhësi i tij të ndjerë, Papa Françesku, ndërsa dënoi dhunën që vijon të shkatërrojë ato rajone, përfshirë Tokën e Shenjtë, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Tigrein dhe Kaukazin.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme