Punësimi në rajon – Shumë marrëveshje, pak ratifikime
Aktorë të shoqërisë civile dhe trupës diplomatike në Tiranë kanë bërë thirrje për thjeshtimin e legjislacionit dhe nismave për lëvizjen e lirë e punësimin në rajon. Me sfond “Procesin e njohur të Berlinit”, një analizë e arritjeve praktike të kësaj lirie, rezulton ende me pengesa në rajon për shkak të asaj që studimi e cilëson si shumë rregullim e fragmentim legjislacioni.
“Bashkëpunimi rajonal është gur themeli për zhvillimin ekonomik dhe rrugën drejt BE-së. Angazhimi i qeverisë dhe parlamentit në miratimin e marrëveshjeve është i rëndësishëm. Po ashtu edhe roli i shoqërisë civile në monitorimin dhe lobimin në favor te zbatimit”, tha Zv. ambasadori gjerman.
Ekspertiza shqiptare e legjislacionit shoqërues konstaton po ashtu se disa prej marrëveshjeve të lëvizshmërisë u mungojnë të drejta dhe mekanizma të zbatueshëm, duke e bërë të vështirë për qytetarët të kërkojnë dëmshpërblim kur nuk zbatohen siç duhet.
Në këtë sfond Zv. ambasadorja britanike ka thënë se diskutimet paraprake do të kenë vendin e tyre në përgatitjen e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar në muajin tetor.
Nga tetë marrëveshje dhe një rekomandim të pajtuara nga vendet anëtare të CEFTA-s në tetor 2024, rezultojnë deri tani vetëm tre të ratifikuara nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gazetare: Entela Komino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



