Hasani takon homologun izraelit: Shqipëria, e palëkundur kundrejt çdo forme të antisemitizmit

Politikë | 1 vit më parë

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ndodhet në Izrael në një vizitë dy-ditore pune në kuadër të Konferencës Ministrore për Luftën kundër Antisemitizmit, e cila organizohet nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA).

Në margjinat e këtij organizimi, Ministri Hasani zhvilloi një takim me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, me të cilin vlerësuan bashkërisht marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa i kushtuan rëndësi thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë dhe luftës kundër antisemitizmit.

“Shqipëria qëndron e palëkundur kundrejt çdo forme të antisemitizmit, si dhe të çdo lloji të shprehjes së intolerancës apo paragjykimit ndaj popullit hebre”, tha Hasani.

Ai ka cilësuar edhe disa prej masave të ndërmarrave nga vendi ynë në këtë kuadër si: kalimi i të gjithë legjislacionit kundër antisemitizmit; të qenurit aktiv si vend vëzhgues i IHRA; Muzeu “Besa” në Tiranë dhe Muzeu Hebraik Shqiptar që janë aktualisht në proces; integrimi i Holokaustit në kurrikulat arsimore; aktivizmi në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore etj.

Gjatë vizitës në Jeruzalem, Ministri Hasani u takua gjithashtu edhe me Amir Ohana, Kryetari i Parlamentit te Izraelit, Knesset, me të cilin nënvizuan bashkërisht rëndësinë e rritjes së ndërveprimit ndër-parlamentar duke inkurajuar vizitat në të dy anët dhe shkëmbyer përvojat me njëri-tjetrin.

“Fluturimet direkte mes Shqipërisë dhe Izraelit, tashmë 5 herë në javë dhe me impakt të drejtpërdrejtë në sektorin e turizmit, duhet të shërbejnë si një ogur i mirë për të çuar në një tjetër nivel bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fusha të ndryshme që lidhen me sigurinë, infrastrukturën, shëndetësinë, teknologjinë, inovacionin, bujqësinë etj.”, tha Hasani.

Konferenca Ministrore për Luftën kundër Antisemitizmit është një aktivitet i nivelit të lartë që zhvillohet në Jeruzalem në kontekstin e presidencës izraelite të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA). Këtu marrin pjesë ministra të jashtëm, diplomatë, drejtues të institucioneve qendrore të Izraelit, të dërguar të posaçëm, si dhe ekspertë nga vendet anëtare ose vëzhguese të IHRA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme