Deputetët jashtë Kuvendit: socialistët “e marrin lehtë”, demokratët flasin për “masakër”
Deputetët që nuk arritën të sigurojnë një mandat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të duhet të gjejnë një punë të re, pasi ulëset e tyre në Kuvend do të zëvendësohen nga fytyra të reja.
Nga radhët e mazhorancës, përtej faktit që i gëzohen fitores së forcës politike për disa prej deputetëve që humben mandatin në zgjedhje, nuk e fshehin keqardhjen që nuk do të jenë më pjesë e politikës aktive në Parlament.
“Më shumë sesa keq, jam falënderuese atyre të cilët më besuan votën dhe më dhanë mundësinë që të ketë një rezultat shumë të mirë,” u shpreh deputetja socialiste Etilda Gjonaj.
“Shumë falënderuese për këdo që krah meje garoi në garën e Shkodrës,” tha deputetja socialiste Edona Bilali.
“Do vazhdoj në profesionin tim,” tha deputeti socialist Nasip Naço.
“Jo. Gara ishte e përcaktuar që në fillim,” deklaroi deputeti socialist Toni Gogu.
Ndryshe nga socialistët, karriget e të cilëve do të zëvendësohen nga kolegë të së njëjtës forcë, për demokratët keqardhja është edhe më e madhe. Ata e konsiderojnë rezultatin si pasojë të një “masakre elektorale”.
“Keqardhje e madhe që nuk arriti të triumfojë vota e lirë, që ndodhi një masakër e madhe elektorale. Pastaj nëse do të jetë apo jo Lindita Metaliaj në parlament nuk është ndonjë çështje e madhe,” tha deputetja demokrate Lindita Metaliaj.
“Keqardhje ndiej për faktin që zgjedhjet u manipuluan, por nuk flasim për zgjidhjet,” deklaroi deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj.
“Duke qenë se certifikimi i mandateve ende nuk ka përfunduar besoj që do të presim një përgjigje të fundit edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,” u shpreh deputetja demokrate Andia Ulliri.
Për euroatlantikët dhe grupimin e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, humbjen e komentuan me tone kritike kundrejt dy forcave të mëdha politike.
“Unë dal me kokën lart. Këta që ngelen këtu janë pazarxhinjtë,” tha z. Alibeaj.
“Më vjen keq vetëm për diçka. Pakti Rama–Berisha i la demokratët rrugëve,” tha deputetja Merita Bakiu.
Deputetja Monika Kryemadhi, e cila mbeti jashtë Parlamentit së bashku me ish-bashkëshortin e saj, njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, deklaroi për mediet se nuk ndjen keqardhje për mungesën në Kuvendin e ri, pasi “karrigia nuk është pronë personale e askujt”.
“Karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës, as e secilit, por është e lëvizshme dhe vazhdon të lëvizë,” u shpreh znj. Kryemadhi.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, deputetët aktualë e mbajnë mandatin deri në muajin shtator, kur edhe pritet të konstituohet legjislatura e radhës dhe të nisë puna e Kuvendit të ri të Shqipërisë.
Gazetarja: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



