PD çon kërkesë në KQZ: Mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi, nisni hetimin administrativ

Politikë | 1 vit më parë

Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ku përmes së cilës pretendon se mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi në regjistrimin sasisë së fletëve dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

Partia Demokratike shpjegon se pretendimi i saj ngrihet vetëm për sa i përket fletëve të votimit brenda vendit dhe jo ato që kanë të bëjnë me diasporën.

Referuar pretendimit të Partisë Demokratike mungojnë saktësisht 130.754 (njëqind e tridhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër) fletë votimi të papërdorura. Për këtë arsye, PD kërkon nisjen e një hetimi administrativ nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikimin e përmbajtjeve të fletëve të votimit për çdo kuti në çdo njësi votimi në Shqipëri.

Në kërkesë PD ka pasqyruar të dhënat e KQZ-së sipas së cilës janë:

3.534.792 fletë votimi të prodhuara,

1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit,

1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura, dhe

5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara.

Kërkesa e PD-së:

I nderuar z. Komisioner,

Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me informacionet dhe të dhënat zyrtare që na janë përcjellë nga KOZ ditën e djeshme, si rezultat i kërkesave tona të përsëritura gjatë procesit të ankimimeve të PD-ASHM në KAS.

Shqetësimi ynë lidhet me faktin se, për zgjedhjet e 11 majit 2025, mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.

Më datë 04.04.2025, me vendimin tuaj nr. 407, “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025” (bashkëlidhur), në faqen nr. 138 të materialit specifikohet qartë se, në rang vendi, janë miratuar 5.225 Qendra Votimi (QV), 3.467.962 zgjedhës, 66.830 fletë votimi rezervë (që i korrespondojnë 2% rezervë), dhe në TOTAL 3.534.792 Fletë Votimi (FV).

Por, sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit që ju drejtoni, rezulton se janë:

3.534.792 fletë votimi të prodhuara,

1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit,

1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura, dhe

5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara.

Pra, diferenca tregon qartë se mungojnë saktësisht 130.754 (njëqind e tridhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër) fletë votimi të papërdorura!

Në vijim të sa më sipër, dhe bazuar mbi këto gjetje, kërkojmë: Nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së, si dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor, Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, me qëllim të tregohen qartë vendndodhja dhe trajtimi i mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri total i fletëve të prodhuara me shumën e votave të gjetura në kuti, plus fletëve të papërdorura plus fletët e dëmtuara.

Këmbëngulim që për këto fakte tronditëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë menjëherë dhe në përputhje të plotë me parimin e ligjshmërisë.

Duke ju falënderuar,

PARTIA DEMOKRATIKE-ALEANCA PËR SHQIPËRINË MADHËSHTORE

Përfaqësuesi i PD-ASHM në KQZ

Franci NURI

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme