Zgjedhjet presidenciale në Korenë e Jugut, nis votimi për pesë kandidatët në garë

Miliona qytetarë në Korenë e Jugut po i drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm, gjashtë muaj pasi Yoon Suk Yeol e zhyti vendin në krizë politike me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në orët e para të votimit, pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e fundit të Koresë së Jugut në vitin 2022, ndërsa në garë janë pesë politikanë.
Lee Jae-myung nga Partia Demokratike, është më favoriti për të fituar zgjedhjet, ndërsa përballë tij është Kim Moon-soo, nga Partia në pushtet e Pushtetit Popullor.
Tre kandidatët e tjerë përfshijnë Lee Jun-seok nga Partia e Re Reformuese, i cili ka qenë i popullarizuar tek të rinjtë për pikëpamjet e tij antifeministe, ish-avokatin e të drejtave të njeriut; Kwon Young-guk i Partisë Demokratike të Punës; dhe biznesmeni Song Jin-ho , i cili garon si kandidat i pavarur.
Votimet mbyllen në orën 20:00 sipas kohës lokale (12:00 BST), ndërsa rezultatet priten në orët pasuese.
Historia e presidentëve të Koresë së Jugut
Ish-presidenti Yoon Suk Yeol, i cili u shkarkua nga detyra në prill, ndjek një linjë ish-udhëheqësish të Koresë së Jugut, reputacioni i të cilëve është dëmtuar ose mandatet e të cilëve janë ndërprerë nga skandalet.
Midis tyre ka presidentë që janë përballur me padi, internim dhe burgim.
Yoon, i cili ishte prokuror publik i Koresë së Jugut, në fakt udhëhoqi një hetim që çoi në burg ish-presidenten Park Geun-hye.
Presidenti i parë i vendit, Syngman Rhee, ishte gjithashtu një figurë polarizuese, i cili përfundimisht u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 1960 për shkak të protestave të dhunshme. Më vonë ai u largua nga vendi për në Hawaii.
Kush është Lee Jae-myung
Kandidati kryesor presidencial Lee Jae-myung përballet me disa akuza penale për të cilat gjyqet janë shtyrë deri pas zgjedhjeve presidenciale.
Midis tyre janë akuzat se ai ka shkelur ligjet zgjedhore duke mohuar lidhjet e tij me dikë në qendër të një skandali korrupsioni në tokë në vitin 2021. Ai është akuzuar gjithashtu për detyrimin e një dëshmitari për të dhënë dëshmi të rreme gjatë një gjyqi në vitin 2019.
Këto raste kanë hedhur dyshime mbi kandidaturën e Lee-së.
Nëse dënohet pas fitores së zgjedhjeve, Lee-së mund t’i kërkohet të japë dorëheqjen. Partia e tij Demokratike pohon se gjyqet duhet të pezullohen nëse ai bëhet president.
Kush është Kim Moon-soo?
Kandidati i Partisë në pushtet nw Pushtetit Popullor, Kim Moon-soo, mund të jetë kandidati i dytë më i popullarizuar në këto zgjedhje, por sondazhet sugjerojnë se ai mund të jetë ende shumë larg fitimit të të njëjtit nivel mbështetjeje si kandidati kryesor i Partisë Demokratike, Lee Jae-myung.
Një ish-aktivist i punës gjatë diktaturës së viteve ’70 dhe ’80, ai u arrestua dhe u dënua me më shumë se dy vjet burg për udhëheqjen e protestave anti-shtet.
Në vitet ’90 ai e filloi karrierën e tij politike në kampin konservator dhe që atëherë është ngjitur vazhdimisht në radhët e Partisë së Pushtetit Popullor.
Ai u emërua ministër i Punës në qeverinë e Yoon Suk Yeol në vitin 2024.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




