“T’u ju njit Bunës përpjetë”, ekspozitë me punime artistike të artistëve nga Ulqini
Në ambientet e Galerisë së Arteve të Shkodrës u çel ekspozita me titullin “T’u ju njit Bunës përpjetë”, që bashkon në një rrugëtim të përbashkët artistik gjashtë piktorë nga qyteti i Ulqinit. Kjo ekspozitë është një nismë e përbashkët e Galerisë së Arteve të Shkodrës, Bashkisë Shkodër dhe platformës “Creative City Ulqin”, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Në hapjen e saj, artistët e penelit sollën për publikun shkodran një koleksion të veçantë veprash që përçojnë identitetin dhe ndjeshmërinë e qytetit bregdetar të Ulqinit.
“Të hapësh këtë ekspozitë në Shkodër duhet të jesh i përgatitur mirë, pasi Shkodra ka dhënë për të gjithë Shqipërinë piktorë të njohur dhe këtu është konkurrenca e fortë”, u shpreh piktori Mehmet Aloja.
“Janë vizatime spontane, të personave me karakter të ndryshëm, që për atë kohë ka qenë një inspirim i rastit”, u shpreh piktori Jozo Koçaj.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, u shpreh se kjo ekspozitë i shërben forcimit të lidhjeve kulturore dhe promovimit të vlerave të përbashkëta artistike.
“Gjatë përpjekjes për të gjetur një titull u zgjodh Buna si element gjeografik që në rrjedhën e saj është e lundrueshme nga të dyja anët. Meqë artistët në Ulqin kanë ardhur në Shkodër, kështu po i ngjiten Bunës përpjetë”, u shpesh Juka.
Ekspozita me punimet e artistëve Mehmet Aloja, Agron Ujkashi, Jozo Koçaj, Emina Nimanbegu, Ivana Gjonaj dhe Brigita Antoni do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve të Shkodrës deri më 13 qershor.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




