Nis me tensione seanca plenare, opozita: S’ka kuorum për procesverbalin. Spiropali: Nuk nevojitet

Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare. Shkak për ‘përplasjet” mes opozitës e mazhorancës është bërë mungesa e kuorumit për miratimin e procesverbalit të seancës së 29 majit.
Deputetët demokratë i kanë kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali të ndërpresë seancën plenare pasi sipas tyre, në sallë ndodheshin vetëm 55 deputetë, nga 71 që nevojiten minimalisht.
“Keni filluar seancën në kundërshtim me rregulloren. Në sallë nuk janë as 55 deputetë. Pa kuorum seanca nuk fillon. Anuloni seancën, të plotësohet kuorumi dhe të nisë seanca. Tani këtu janë 55 deputetë. Po bëni tallava”, deklaroi deputeti Flamur Noka.
Në të njëjtën linjë vijoi edhe deputeti Gazment Bardhi, i cili po ashtu kërkoi ndërprerjen e seancës, pasi sipas tij, po shkelet rregullorja e Parlamentit.
“Nuk e di kush ta lexon rregulloren, por sipas rregullores së Kuvendit e ccdo organi kolegjial, s’mund të fillosh mbledhjen e kuvendit pa pasur minimum 70 deputetë në sallë. Ky rregull është zbatuar edhe nga ju. E kuptoj se e keni të vështirë të mblidhni deputetët, por seanca nis vetëm kur të jenë të paktën 71 deputetë prezentë.
S’është e vërtetë ajo që thatë. Kur nis mbledhja duhet kuorumi dhe kjo është A-ja e rregullores së Kuvendit. Ndërprisni seancën, njoftoni deputetët të vijnë në sallë dhe të vijojmë me punimet. E ke për detyrë, ndryshe seanca nuk mund të vazhdojë”, theksoi Bardhi.
Në përgjigje të deklaratave të Nokës e Bardhit, kryeparlamentarja theksoi se Kuvendi është plotësisht funksional dhe se sipas saj, përsa kohë nuk po votohen projektligje, nuk ka nevojë për plotësimin e kuorumit.
“Nuk kemi votim, nuk kërkohet kuorum. Është plotësisht funksional. Kyretari i Kuvendit pyet mbi vërejtje mbi procesverbalin dhe nuk kërkon miratimin në parim siç është votimi formal i çdo projektligji.
Mos u kapni pas fijes së kashtës për të mos diskutuar çështjet e rëndësishme”, tha Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




