Bardhi akuza mazhorancës: I morët votat nga bandat e krimit. Spiropali: Po shani Shqipërinë në dyert e Brukselit

Seanca parlamentare është shoqëruar me përplasje të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë Rama, duke e cilësuar qeverisjen e 12 viteve të fundit si të lidhur ngushtë me krimin e organizuar.
Sipas Bardhit, raporti paraprak i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit konfirmon shqetësimet e opozitës për bashkëpunim të politikës me elementë kriminalë.
Bardhi tha se nuk mund të kërkojmë integrim në BE me “standarde zgjedhore si në Rusi”.
“Opozita thotë me zë të lartë të vërtetat në atë që ka ndodhur në 12 vite të qeverisjes së Ramës. Bashkëpunimin me elementë kriminal me partitë politike nuk e thotë më vetëm PD, por gjetjet parapare të raportit të OSBE/ODIHR-it. Nëse mendoni se ketë shqetësim në interes publik nuk e ngre opozita në çdo institucion ndërkombëtar, e keni shumë gabim. Ne do e themi me zë të lartë se duam anëtarësimin në B, por e duam Shqipërinë me të njëjtat standarde zgjedhjet si vendet e BE. Nuk e duam Shqipërinë në mes të Evropës me standarde zgjedhore si Rusia. E keni kthyer politikën të lidhur me bandat. Në këtë kuvend ka njerëz që kanë ardhur me votat e qytetarëve edhe nga radhët tuaja, por keni edhe deputet që edhen se votat ua sollën bandat kriminale. Kjo nuk është më politikë, por banditizëm. Ne nuk duam të shkojmë në Evropë me banditizëm”, tha Bardhi.
Ishte kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila iu përgjigj akuzave, ku u shpreh se me këtë retorikë opozita po poshtëron Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve.
Spiropali tha se “në dyert e Brukselit nuk i bëhet opozitë qeverisë, por Shqipërisë”, ndërsa shtoi se opozita duhet të ndalet nga deklaratat e pavërteta dhe halucinante për vendin.
“Shpreh indinjatën time për aksione të tilla “alla-opozite shqiptare” kur në dyert e Brukselit nuk i bëhet opozitë qeverisë dhe as flitet për standarde, po i bëhet opozitë Shqipërisë. Në fakt poshtërohet Shqipëria dhe thuhen të vërteta halucinante ku nuk thuhet asnjë e vërtetë ku as armiqtë më të përbetuar të Shqipërisë nuk ia kanë thënë. Atë guxon ta thotë ai që quhet lideri i opozitës shqiptare dhe më vjen keq që ju bëheni vegla të një njeriu të vetëm që nuk bën analiza humbje dhe nuk përballet me qeverinë. Ju flisni në këto tryeza në gjuhën që urren Shqipërinë dhe jo qeverinë. Ju njehsoni Shqipërinë me Edi Ramën se nuk pranonin humbjen. Kështu si flisni ju do mundeni gjithmonë, pasi shqiptarët nuk pranojnë një gjuhë të tillë për Shqipërinë. Shqipëria nuk është narkoshtet dhe do të anëtarësohet në BE brenda kësaj dekade, jo për partitë por për të gjithë fëmijët e Shqipërisë”, tha Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




