Në ditën e Kurban Bajramit, politika uron besimtarët myslimanë

Aktualitet | 1 vit më parë

Në ditën e Kurban Bajramit, krerët e shtetit dhe politikanët kanë uruar besimtarët myslimanë përmes mesazheve të shpërndara në rrjetet sociale.

Presidenti Bajram Begaj uroi besimtarët për më shumë mirësi dhe gëzime, ndërsa tha se Kurban Bajrami është festa e sakrificës së sinqertë.

“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot. Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë. Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre! Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!” shkroi kreu i shtetit në rrjetet sociale.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nga Komuniteti Mysliman shqiptar, uroi besimtarët, ndërsa dha edhe disa mesazhe.

“Kjo simbolikë e fortë sot duhet të shkojë përtej ditës, por të rrezatojë edhe në politikat tona për politika sociale, për politika të mira për ata që janë më të pamundur. Një mesazh për të gjitha zonat e luftës, ku fëmijët, gratë, civilët e pafajshëm përballen çdo ditë me situata nga më të rënda, jo vetëm një lutje për ta, por edhe të bëjmë ç’të mundemi modestisht për këtë situatë. Mesazh për shqiptarët që çdo ditë të vitit të mundohem të japim më shumë dashuri, solidaritet dhe të ketë më shumë paqe e harmoni”, tha Spiropali

Kryeministri Edi Rama ka uruar duke postuar një foto të Xhamisë së Namazgjasë, ndërsa shkruan: “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha uroi përmes një mesazhi në Facebook, ku shkruan: “Besimtarëve muslimanë nga zemra i uroj Gëzuar Kurban Bajramin. Sakrificat e lutjet tuaja qofshin të pranuara nga Zoti në këtë natë të madhe, për të mirën tuaj, të familjeve tuaja dhe të gjithë Shqipërisë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme