Policia e Shtetit publikon masat e sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Në prag të ndeshjes shumë të pritur Shqipëri-Serbi, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur një plan të detajuar masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë zhvillimit të këtij eventi sportiv me rëndësi.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia ka informuar se do të ketë kufizime të pjesshme të qarkullimit në rrugën nga hoteli ku është akomoduar ekipi i Serbisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në stadiumin “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”.
Kufizimet do të zbatohen:
- Sot pasdite (e Premte, 6 Qershor) në orën 16:30, gjatë shoqërimit të ekipit serb për në stërvitje.
- Nesër (e Shtunë, 7 Qershor) në orën 18:45, gjatë shoqërimit të ekipit për në ndeshje.
Këto kufizime do të jenë të pjesshme dhe do të zgjasin deri në 25 minuta në momentin e shoqërimit të ekipit.
Policia e Shtetit thekson angazhimin maksimal për të siguruar që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses dhe pa incidente. Në këtë kuadër, apelohet për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe për respektim të udhëzimeve të strukturave policore në terren.
“Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.”, njofton policia.
Masat e rrepta vijnë si një përpjekje për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët.
Më poshtë disa foto të policisë duke shoqëruar ekipin e futbollit të Serbisë







/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




