Projektligji i ri për koncesionet dhe PPP-të në fazën finale të konsultimit. Rregullat e reja për kontratat, financat dhe ankimin administrativ

Ekonomi | 1 vit më parë

Shqipëria po përgatitet të miratojë një kuadër të ri ligjor për koncesionet dhe partneritetet publiko-private (PPP), me qëllim krijimin e një mjedisi më të qartë, të qëndrueshëm dhe konkurrues për investimet private.

Projektligji, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual nr. 125/2013, është në përputhje me angazhimet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe synon të forcojë parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit dhe sigurisë juridike.

Qëllimi dhe objektivat kryesore

Qëllimi thelbësor i projektligjit, sipas relacionit shoqërues, synon nxitjen e investimeve private në sektorë kyç si infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi, shëndetësia dhe arsimi, duke ofruar një kornizë të unifikuar për procedurat konkurruese. Objektivat kryesore përfshijnë: krijimin e një kornize të unifikuar për procedurat konkurruese; ruajtjen e interesit publik nëpërmjet kontrollit paraprak (ex-ante) dhe pasues (ex-post) nga Ministria e Financave; sigurimin e rregullave transparente për dhënien, zbatimin dhe monitorimin e kontratave të koncesionit dhe PPP-ve; vendosjen e mekanizmave për ndarjen dhe menaxhimin e risqeve.

“Projektligji synon edhe harmonizimin e procedurave me standardet e BE-së, veçanërisht me Direktivën 2014/23/BE për koncesionet dhe Direktivat 2014/24/BE e 2014/25/BE për prokurimin klasik, forcimin e rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), si dhe promovimin e “vlerës më të mirë për paranë” (value for money) dhe mbrojtjen e interesit publik”, theksohet në relacionin që shoqëron projektligjin, i cili pas datës 11 qershor 2025, mbyll edhe ciklin e konsultimeve me publikun, për të kaluar më pas në procesin parlamentar.

Përparësitë, problematikat dhe efektet e pritshme

Projektligji adreson disa problematika aktuale në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve siç janë transparenca dhe konkurrenca, që kalon nga procedura më pak të përshtatshme dhe publikime të pjesshme, në procedura të hapura, të kufizuara ose me negocim, me publikime elektronike dhe ftesa për shprehje interesi. Kjo pritet të rrisë pjesëmarrjen e operatorëve dhe të ulë kostot.

Një çështje tjetër është menaxhimi fiskal që ka të bëjë me përgjigjet ndaj detyrimeve kontingjente të paidentifikuara dhe mungesës së raportimit duke vendosur miratim paraprak nga Ministria e Financave për çdo projekt, raporte tremujore monitorimi dhe një regjistër elektronik të PPP-ve. Qëllimi është kufizimi i rreziqeve buxhetore dhe shtimi i transparencës fiskale.

“Projektligji adreson mospërputhjet terminologjike dhe paqartësitë procedurale me Direktivën e Koncesioneve 2014/23/BE dhe direktivat e prokurimit. Ky përafrim do të lehtësojë integrimin dhe aksesin e investitorëve nga BE-ja. Ndaj rasteve të konflikteve të menaxhuara dobët, ligji vendos detyrimin për deklarim të konfliktit të interesit dhe përjashtime për subjekte të dënuara, duke synuar rritjen e integritetit institucional.”, theksohet në relacion.

Ndarja e roleve institucionale dhe procesi i ri

Projektligji përcakton qartë rolet e institucioneve kyçe si: Ministria e Ekonomisë që koordinon politikat e përgjithshme për PPP-të; Ministria e Financave që vepron si “rojtar fiskal”, duke miratuar paraprakisht studimet e fizibilitetit dhe projekt-kontratat, duke monitoruar dhe raportuar për portofolin e PPP-ve. Agjencia e Prokurimit Publik (APP) që publikon dokumentet standarde dhe zbaton sanksionet; Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) që mbështet autoritetet kontraktuese në hartimin e studimeve, vlerësimin e ofertave, negocimin, nënshkrimin dhe monitorimin e kontratave.

Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve PPP kryesohet nga Ministri i Ekonomisë dhe shërben si filtër ndër-sektorial për projektet strategjike, ndërsa autoritetet/Entet Kontraktuese mbajnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për procedurat dhe sigurojnë trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) do të jetë organ i pavarur i rishikimit administrativ për ankesat.

“Procesi i ri i dhënies së koncesioneve/PPP-ve do të përfshijë një cikël të detajuar ku kryesoret janë veprimet paraprake që përfshijnë identifikimin e projekteve, krijimin e Komisioneve të Koncesionit/PPP në nivel autoriteti kontraktues, dhe hartimin e studimeve të fizibilitetit. Këto studime duhet të përfshijnë analiza teknike, financiare, ligjore, ekonomike e mjedisore, vlerësimin e risqeve fiskale dhe ndikimin në buxhet, si dhe treguesit e “vlerës së parasë”. Çdo studim dhe projekt-kontratë duhet të miratohet paraprakisht nga Ministria e Financave.”, thuhet në relacion.

Procedurat për Dhënien e Koncesioneve/PPP vendosin rregulla të qarta për transparencën, afatet, kriteret dhe mjetet operacionale për përzgjedhjen e partnerit privat. Parashikohen katër procedura kryesore: e hapur, e kufizuar, konkurruese me negocim (për sektorin klasik) dhe me negocim me shpallje paraprake (për kontratat sektoriale). Afatet minimale për pjesëmarrje dhe oferta janë të përcaktuara qartë.

Lidhur me propozimet e pakërkuara do të lejohen vetëm për punë/shërbime në sektorë të caktuar si porte, aeroporte, energji për ngrohje, shpërndarje gazi natyror dhe prodhim-shpërndarje energjie elektrike (me përjashtim të burimeve hidrike). Këto propozime duhet t’i nënshtrohen një gare të hapur dhe propozuesi fillestar rimbursohet për shpenzimet e studimit të fizibilitetit vetëm nëse nuk shpallet fitues, me një kompensim të kufizuar në 1% të vlerës së investimit.

Kontrata, aspektet financiare dhe ankimi administrativ

Kontrata e Koncesionit/PPP detajon ciklin jetësor të kontratës, nga nënshkrimi deri te monitorimi. Kërkohet depozitimi i garancive deri në 5% të vlerës, dhe mundësia e pagesës së një tarife koncesionare. Afati i kontratës varion nga 5-35 vjet. Ndryshimet në kontratë lejohen vetëm në raste të përcaktuara qartë dhe kërkojnë miratimin paraprak të Ministrisë së Financave. Parashikohet ngritja e Njësisë së Zbatimit të Kontratës (NjZK) për administrimin dhe mbikëqyrjen e kontratave.

“Sa i përket çështjeve financiare dhe pronësia sanksionohet se objektet e ndërtuara në kuadër të një PPP-je janë pronë e autoritetit kontraktues, duke garantuar kthimin e aseteve publike. Lejohet krijimi i subjekteve me qëllime të veçanta (SPV) për rritjen e llogaridhënies. Parashikohet gjithashtu një dispozitë stabilizimi për të mbrojtur investitorët nga pasojat financiare të ndryshimeve legjislative pas nënshkrimit të kontratës, e cila kërkon miratim nga Këshilli i Ministrave. Ankimi Administrativ vendos një mekanizëm të drejtë dhe të hapur për operatorët ekonomikë që ndihen të dëmtuar. Të drejtat e ankimimit rregullohen me afate të qarta (10 ditë për ankesat lidhur me dokumentet ose rezultatin) pranë Komisionit të Prokurimit Publik, me mundësi të mëtejshme në gjykatë. Ankimimi nuk pezullon automatikisht procedurën, por KPP mund të marrë vendime të përkohshme. Ligji parashikon gjithashtu pavlefshmërinë e kontratave në raste shkeljesh të rënda dhe kundërvajtje administrative me gjoba.”, theksohet në relacion.

Projektligji gjithashtu shfuqizon ligjin e mëparshëm nr. 125/2013 dhe përcakton që ky ligj i ri nuk do të zbatohet për procedurat e nisura para hyrjes në fuqi të tij.

Ky kuadër i ri ligjor pritet të modernizojë thelbësisht mënyrën se si Shqipëria menaxhon koncesionet dhe PPP-të, duke synuar një rritje të transparencës, konkurrencës dhe sigurisë juridike për investitorët, në përputhje me standardet evropiane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme