“Feja lë hapësirë për interpretim,” thotë teologu Vladimir Kera, shqetësohet për kakofoninë tek besimtarët

Teologu Vladimir Kera, i ftuar në emisionin “Një Shqipëri” të Mentor Nazarkos, ka ngritur shqetësimin mbi qasjet e ndryshme të interpretimit fetar, duke theksuar se vetë feja lë hapësirë për interpretim. Ai vuri në dukje se kjo mund të krijojë kakofoni dhe konfuzion tek besimtarët, veçanërisht kur “çdo hoxhë jep një qasje të ndryshme për tematika që kanë të bëjnë me fenë.”
Kera theksoi rëndësinë e bërjes së një dallimi thelbësor: “Është e rëndësishme të bëjmë dallim midis parimeve statike të fesë që janë të pandryshueshme dhe hapësirës që feja ka lënë për t’u përshtatur në varësi të vendit dhe rrethanave ku veprohet.”
Ai shpjegoi se shpesh njerëzit ngatërrojnë traditën me fenë, duke u përpjekur të sjellin praktika të një kohe tjetër në ditët e sotme, çka çon në konfuzion. “Kur njeriu nuk dallon nëse ky është mjet apo qëllim dhe njeriu ngatërron qëllimin me mjetin, [atëherë] hyjnë në një kakofoni,” tha Kera.
Sipas teologut, besimtarët e thjeshtë bien në një gjendje konfuzioni dhe kakofonie kur përballen me interpretimet e ndryshme. Ai theksoi se është e vështirë të gjesh dy hoxhallarë me të njëjtën qasje mbi një çështje, çka e bën të domosdoshëm dallimin mes parimeve thelbësore të fesë dhe elementeve kulturore apo tradicionale. “Kush janë parimet statike? Islami është i të gjithëve, kultura arabe është arabe,” theksoi Kera, duke nënkuptuar se besimi fetar nuk duhet të ngatërrohet me identitetet kulturore.
Kera sugjeroi se për të shmangur këtë kakofoni, besimtarët duhet të vetëdijësohen dhe “t’ua lënë kompetentëve këtë punë,” në kuptimin e thellimit në parimet thelbësore dhe mosngatërrimit të interpretimve me traditën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




