Po transportonte ndihma për Gazën, forcat izraelite marrin kontrollin e anijes së Greta Thunberg

Forcat izraelite kanë marrë komandën e një anijeje që u përpoq të sfidonte bllokadën detare të Rripit të Gazës dhe ekuipazhin e saj prej 12 personash, përfshirë aktivisten Greta Thunberg.
Jahti me flamur britanik Madleen, i cili operohet nga Koalicioni pro-Palestinez i Flotiljes së Lirisë (FFC), synonte të dërgonte një sasi simbolike ndihme në Gaza dhe të rriste ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krizën humanitare atje.
Ministria e Jashtme izraelite më vonë konfirmoi se anija dhe ekuipazhi, ishin nën kontrollin izraelit.
“‘Jahti për selfie’ i ‘të famshmëve’ po udhëton shëndoshë e mirë drejt brigjeve të Izraelit. Pasagjerët pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Të gjithë pasagjerët janë të sigurt dhe të padëmtuar”, shkroi ministria në X.
FFC-ja akuzoi Izraelin për “kapjen me forcë” të Madleen dhe për veprimin me “pandëshkueshmëri të plotë”.
“Anija u hip në bord në mënyrë të paligjshme, ekuipazhi i saj civil i paarmatosur u rrëmbye dhe ngarkesa e saj shpëtuese – duke përfshirë formulën e foshnjave, ushqimin dhe furnizimet mjekësore – u konfiskua”, tha FFC.
Midis ekuipazhit janë aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg dhe Rima Hassan, një anëtare franceze e parlamentit evropian.
“Ekuipazhi i Flotiljes së Lirisë u arrestua nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare rreth orës 2 të mëngjesit”, postoi Hassan në X.
Jahti po transportonte një ngarkesë të vogël ndihme humanitare, duke përfshirë oriz dhe formulë për foshnje.
Ministria e jashtme tha se ndihma do të çohej në Gaza. “Sasia e vogël e ndihmës që ishte në jaht dhe nuk u konsumua nga ‘të famshmit’ do të transferohet në Gaza përmes kanaleve të vërteta humanitare“, shkroi ministria.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë të dielën të parandalonte arritjen e anijes Madleen në Gaza , duke e quajtur misionin një përpjekje propagande në mbështetje të Hamasit.
Izraeli vendosi një bllokadë detare në territorin bregdetar pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës në vitin 2007.
Bllokada ka mbetur në fuqi gjatë konflikteve të shumta, përfshirë luftën aktuale, e cila filloi pas një sulmi të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, që vrau më shumë se 1,200 njerëz, sipas një llogaritjeje izraelite.
Ministria e shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 54,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shumica e më shumë se 2 milionë banorëve të Gazës po përballen me urinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




