Rama: Gjyqtarët kërkojnë rritje tjetër page, abuzuese. S’do heshtim nëse Gjykata Kushtetuese lajthit sërish

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar sërish në Gjykatën Kushtetuese rritje të pagave, kërkesë që kreu i qeverisë e konsideron si “abuzuese dhe të padëgjuar më parë”.

Në një postim të gjatë në rrjetin “X”, Rama shkruan se kjo është hera e dytë që një kërkesë e tillë bëhet brenda tre viteve. Në vitin 2022, Gjykata Kushtetuese garantoi një pagë bazë prej 156.000 lekësh për gjyqtarët. Vendimin, Rama e konsideron si “ndërhyrje skandaloze të gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit”.

“Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve, që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës, por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve. Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën – me një shurdhëri mbresëlënëse ndaj argumenteve të kundërshtimit të fortë të qeverisë si palë në gjyq – duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!”, shkruan Rama.

Kërkesa e re e Unionit, sipas Ramës, është që paga bazë e gjyqtarit të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri. Kreu i qeverisë thotë se kërkesa e tyre vjen me argumentin e rritjes së pagës së administratës dhe pretendohet për një shtesë prej 700 euro.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të kërkesës së parë të Unionit, Rama e konsideron si “lajthitje”, teksa shton se qeveria do të reagojë nëse merrej sërish një vendim i tillë.

“Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishte një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cenonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë”, thekson Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Rama

Interesante!

Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!

Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.

Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën – me një shurdhëri mbresëlënëse ndaj argumentave të kundërshtimit të fortë të qeverisë si palë në gjyq – duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!

Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.

Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!

Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…

Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishte një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cenonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë.

Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave në vitin 2022

Kërkesa e parë e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për rillogaritjen e pagës erdhi pas një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ky institucion e nisi që në tetor të vitit 2020, duke e fokusuar punën te verifikimi i përllogaritjes së pagave, me fokus të veçantë, ndër të tjera, vjetërsinë në punë (për anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së), si dhe kuadrin ligjor e rregullator mbi të cilin mbështetet përllogaritja.

Në përfundim të këtij auditimi, me shkresën e datës 15.02.2021, KLSH-ja i dërgoi Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) raportin përfundimtar dhe rekomandimet për auditimin tematik. Pas fillimit të zbatimit të dispozitave të ligjit nr. 96/2016, që rregullojnë pagën e magjistratit, KLSH-ja konstatoi se referenca ishte e gabuar dhe rekomandoi rillogaritjen e pagës dhe pagesën e diferencave.

“Për të gjithë magjistratët, pavarësisht nga pozicioni i tyre i punës (kategoritë G1, G2 dhe G3), paga referuese bazë të përllogaritet mbi bazën e plotë të pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, e cila përbëhet nga paga e grupit, plus shtesën e pagës (132,100 = 14,000 + 118,100) dhe jo siç përllogaritet aktualisht, vetëm mbi shtesën për pozicion (118,100). Pagesa duhet të bëhet duke filluar nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (ose emërimit për personat e punësuar pas kësaj date) dhe të përllogaritet për të gjithë periudhën, bashkë me të gjitha shtesat dhe pakësimet,” rekomandoi KLSH-ja.

KLGJ-ja nuk veproi për sa më sipër, përkundrazi u ndërmor nisma ligjvënëse për ndryshimin e bazës ligjore për pagën referuese, duke u riformuluar dispozita sipas mënyrës që ishte përllogaritur paga deri para konstatimeve të KLSH-së. Edhe pse neni 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016 ishte i qartë, ai u riformulua sipas mënyrës së gabuar të zbatimit të kësaj dispozite, duke sjellë uljen e pagës së magjistratëve.

Por sipas Kuvendit, që ishte pala kundërshtuese në kërkesën e parë, raporti i KLSH-së kishte krijuar mosmarrëveshjen kushtetuese dhe nuk duhej marrë parasysh, pasi rekomandimet e këtij organi janë këshillimore, ndaj nuk ishin detyruese për KLGJ-në dhe Kuvendin. “KLSH-ja nuk ka qenë konseguente, pasi një parregullsi e tillë, në lidhje me llogaritjen e pagës, nuk është konstatuar në auditimin e kryer në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe pse raportet i përkasin së njëjtës periudhë. Gjithashtu, në këtë rast gjen zbatim neni 30, shkronja “a”, i Kodit të Procedurave Administrative, pasi kryetari i KLSH-së ka pasur interes personal të drejtpërdrejtë në këtë çështje, pasi me rritjen e pagës së magjistratit rritet edhe paga e tij,” thuhet në argumentet e zbardhura të Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme