ISHP konfirmon rastin e parë me linë e majmunit, Tomini: Rasti është rikuperuar. Disponojmë vaksina për çdo situatë

Sociale | 1 vit më parë

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) konfirmon rastin e parë me linë e majmunit në Shqipëri, që i përket datës 18 maj, tashmë i rikuperuar.

“Rasti është ndjekur dhe konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunimin me QSUT-në, klinikën e sëmundjeve infektive. Është 31 vjeç i gjinisë mashkull nga rajoni i Shqipërisë së Mesme. Rasti nuk është autokton shqiptar, por ka pasur histori udhëtimi në shtetin fqinj, Itali. Sigurisht në bazë të një plan veprimi për MPox, linë e majmunit, janë zbatuar të gjitha masat për ndjekjen, vlerësimin dhe hetimin epidemiologjik për sa i përket izolimit të rastit dhe ndjekjes klinike,” tha drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini.

Komiteti i ekspertëve e konfirmoi diagnozën brenda 20 orësh përmes laboratorit qendror. Rasti u izolua për 28 ditë në banesë dhe u ndoq në distancë, ndërsa u hetua edhe kontakti tij, familjari bashkëjetues i cili rezultoi i pastër.

“Pas marrjes së anamnezës, pra, evidentimit dhe hetimit epidemiologjik, rasti simptomatik është izoluar për 28 ditë dhe është ndjekur në banesë nga shërbimi infektiv. Izolimi në spital ndodh kur rasti është i rëndë për shkak të komplikacioneve apo sëmundjeve bashkëshoqëruese në spital. Sigurisht është vlerësuar në drejtim të ndjekjes së ekzantemës apo të pustulave. Nuk ka pasur nevojë për ndjekje spitalore, por është ndjekur në kushte ambulatore, i izoluar dhe ndjekur në mënyrë rreptësore edhe nga ana e individit, por edhe nga ana e strukturave. Tashmë rasti është rikuperuar,” tregoi Dr. Tomini.

Drejtoresha e ISHP-së sqaron se kjo sëmundje është infektive dhe mund të merret vetëm nga kontaktet e ngushta.

“Rrugët e infektimit janë disa, si p.sh. kontaktet e ngushta dhe të përsëritura lëkurë me lëkurë, rrugët seksuale, si dhe prekja dhe përdorimi i të njëjtave objekte. Duhet të theksojmë që duhet të kemi kontakt të ngushtë, të përsëritur, pra, nuk duhet të shtojmë panikun, sepse shpesh në publik shtohet paniku përkundrejt një kontakti me një puçërr që është çarë apo është plasaritur, apo me një lëkurë të dëmtuar,” tha drejtuesja e ISHP-së.

Instituti i Shëndetit Publik disponon vaksina për çdo situatë që mund të krijohet.

“Vaksinat janë disponibël. Ka një sasi të konsiderueshme për sa i përket vlerësimit të kontakteve dhe parashikimeve të gjasave që mund të ketë Shqipëria në drejtim të vlerësimit të kontakteve të tjera,” tregoi Dr. Tomini.

Lia e majmunit është një infeksion viral, që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Infeksioni zakonisht është i lehtë, por mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Kërkohet sy klinik të mirë për të të bërë diferencën me një sëmundje tjetër dermatologjike, ndaj ISHP-ja ka trajnuar mjekë infektologë, dermatologë dhe të shëndetit publik për të ngritur alertin. Numri i papritur i rasteve edhe përhapja një 75 vende të botës bëri që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallë një vit më parë linë e majmunit një emergjencë shëndetësore.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme