Pogradec, rikthehet sporti i futbollit të ujit, pas më shumë se 40 vitesh
Për të dytin vit radhazi, në qytetin e Pogradecit janë instaluar pishina të hapura në liqen, ku zhvillohen trajnime noti dhe gara të sporteve ujore.
Nisma është ndërmarrë vullnetarisht nga ish-kampionët Sotiraq Iftica dhe Vladimir Mato. Risia e këtij sezoni është rikthimi i sportit të water polo-s, i njohur ndryshe si “futbolli i ujit”, i cili nuk ka funksionuar prej dekadash në Shqipëri. Iniciativa synon të trajnojë të rinjtë dhe të hedhë bazat për formimin e një ekipi të ri.
“Asnjë ekip nuk merret me water-pol. Ne do ta bëjmë për qejf dhe për stërvitjen e notarëve”, Sotiraq Iftica, ish-rekordmen noti.
Llazi Kërxhalli, një nga lojtarët e parë të ekipit të dikurshëm pogradecar, vlerëson përpjekjet për ringjalljen e këtij sporti që do të zhvillohet gjatë sezonit të verës.
“Mua më bëhet qejfi që Pogradeci ka akoma njerëz të apasionuar. Nisma që kanë marrë dy shokët e mi, më obligon që të jem pranë tyre dhe për ndonjë ndihmë të vogël që mund të jap”, tha llazi Kërxhalli, ish- sportist dhe trajner i volej.
Gjatë këtij muaji parashikohet të organizohen gara noti me pjesëmarrje nga Shqipëria dhe jashtë saj, si dhe maratona tradicionale “Agron Ruvina”, një nga eventet sportive më të rëndësishme të qytetit.
Gazetare Elsa Xhindole
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



