Krijimtaria letrare për fëmijë, shpallen 3 fituesit e fondit
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025.
Juria e kryesuar nga Dr. Albert Gjoka, me anëtarë Irena Prici dhe Flori Kasaj, vlerësuan mes 19 dorëshkrimeve këto tri vepra fituese:
- “Enigma e Kësulës së Kuqe” me autor Ermir Nika
- “Iliri dhe lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, me autore Flogerta Krypi
- “Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje”, me autore Raimonda Belli Gjençaj
“Çdo vit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbështet tri vepra të letërsisë shqipe për fëmijë për të pasuruar bibliotekën e librit shqip. Mua më vjen shumë mirë që ky fond, i kthyer tashmë traditë nga Qendra dhe e nisur më herët nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është kthyer në një mbështetje shumë motivuese për të gjithë autorët e rinj shqiptarë,” tha drejtoresha e Qendrës, Alda Bardhyli.
Kryetari i jurisë, Dr. Albert Gjoka, u shpreh i surprizuar me numrin e aplikimeve.
“Në këtë garë kanë marrë pjesë 19 dorëshkrime dhe është një gjë shumë e bukur kur ke përballë 19 vepra të letërsisë për fëmijë. Besoj që shumica prej tyre mund të jetë një prurje fare e mirë për të gjithë letërsinë bashkëkohore për fëmijë. Është një prurje e madhe për botuesit, por edhe për lexuesit e vegjël,” tha Dr. Gjoka.
Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të letërsisë për fëmijë të botojnë veprat e tyre..Një vit më parë fitues të këtij fondi ishin autorët Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rozhani.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




