FOTOT- Balluku: S’ka pushim për kantieret e infrastrukturës, puna po ecën me ritme të shpejta në aksin Elbasan-Qafë Thanë

Aktualitet | 1 vit më parë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi të shtunën se puna në kantieret e infrastrukturës vazhdon pa ndërprerje, madje edhe gjatë fundjavave. Ajo ndau në rrjetet sociale pamje nga puna e zhvilluar në lotin 7 të aksit Elbasan-Qafë Thanë, një pjesë thelbësore e Korridorit VIII.

Balluku bëri të ditur se në këtë segment janë duke u kryer punime intensive për ndërtimin e veprave të artit, bokseve dhe nënkalimeve. Sipas saj, ky është një nga kantieret më të avancuara në kuadër të fazës së parë të punimeve për këtë korridor të rëndësishëm.

“Korridori VIII – Fundjava nuk njeh pushim për kantieret e infrastrukturës. Në lotin 7 të aksit Elbasan – “Qafë Thanë po punohet për ndërtimin e veprave të artit, bokse dhe nënkalime.”, shkruan Balluku.

Ministrja e ka cilësuar projektin si ndërkufitar dhe pjesë e rëndësishme e korridoreve evropiane. Ajo ka shpjeguar se ndërkohë që pala shqiptare po ndërton pjesën e saj të Korridorit VIII, paralelisht po punohet edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi është që të dyja palët të bashkohen në urën e Bushtricës, e cila do të shërbejë si një pikë e re kufitare, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen mes dy vendeve.

Korridori VIII pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në operimin e Portit të Porto Romanos. Ky port do të shndërrohet në një nyje kyçe, duke i shërbyer jo vetëm Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut, çka do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe tregtar në rajon.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme