Masakra e Bradasheshit dhe grabitja në Rinas, Dashnor Dumani mbetet në burg, Armis Stafa në arrest shtëpie

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të shtunën që Dashnor Dumani të mbetet në qeli, ndërsa ka ndryshuar masën e sigurisë për Armis Stafën nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Këto vendime vijnë në vijim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shqyrtimin e masave të sigurisë.
Dashnor Dumani, i cili do të vijojë të qëndrojë në “arrest në burg”, akuzohet si një nga ekzekutorët kryesorë në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018. Ngjarja tragjike shkaktoi vdekjen e vëllait të Erjon Alibejt, xhaxhait të tij dhe një miku turk. Përveç kësaj, Dumani dyshohet edhe për përfshirjen e tij në grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit, një ngjarje kjo që bëri bujë të madhe.
Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi, duke theksuar se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP-ve duhet të marrin masa për sigurinë e jetës dhe shëndetit të Dumanit, duke pasur parasysh situatën e tij familjare.
Ndërkohë, për Armis Stafën, Gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë, duke e transferuar nga regjimi i burgut në “arrest shtëpie”. Sipas SPAK, Stafa dyshohet për pastrim parash përmes shitblerjes së automjeteve. Kjo veprimtari dyshohet se është kryer në funksion të organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Vendimi i sotëm i GJKKO-s rikonfirmon rëndësinë e hetimeve të SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, duke ndarë fatin ligjor të dy personave të përfshirë në ngjarje me peshë të madhe publike. Kundër këtyre vendimeve, palët kanë të drejtën e ankimit brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimn e Organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



