Samiti i G7 në Kanada, dominohet nga lufta në Lindjen e Mesme
Takimi treditor i G7, 7 vendeve më të industrializuara në botë që nis punimet këtë të diel në Kanada do të përqendrohet në mënyrë të pashmangshme në luftën në Lindjen e Mesme, duke zhvendosur pikat kryesore të agjendës që më herët ishin lufta në Ukrainë dhe lufta tarifore e presidentit amerikan.
Vendimi i Izraelit për të sulmuar Iranin do të detyrojë Grupin e Shtatë fuqive perëndimore të shpenzojnë më pak kohë për çështje të tjera dhe në vend të kësaj të diskutojnë mënyrat e menaxhimit të konfliktit të nisur të premten nga Tel Avivi.
Ashtu si shumë nga diskutimet e tyre, kjo do të përfshijë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, së bashku me Kanadanë dhe Japoninë, vende që kërkojnë të ndikojnë në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse Izraeli mund t’i ketë nisur këto sulme pa mbështetjen e qartë amerikane, presidenti Trump është i vetmi udhëheqës me ndikim të vërtetë mbi kryeministrin Netanyahu.
Udhëheqësit e G7-ës, të cilët mbërrijnë në Kanada të dielën, i njohin rreziqet globale të sigurisë dhe ekonomisë nëse ky konflikt përshkallëzohet, duke përfshirë edhe vende të tjera, dhe duke rritur çmimet e naftës.
Megjithatë, ata mund të kenë vështirësi në arritjen e një qëndrimi të përbashkët. Disa prej liderëve si kryeministri britanik Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve. Por të tjerë, si kryeministri i Japonisë, e kanë dënuar sulmin e Izraelit si të patolerueshëm.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




