Izraeli bombardon televizionin shtetëror të Iranit, spikerja braktis transmetimin. Netanjahu: Është vegla e një regjimi totalitar

Botë | 1 vit më parë

Televizioni shtetëror i Iranit ka rënë pre e një sulmi nga Izraeli, duke e detyruar atë të ndërpresë transmetimin e drejtpërdrejtë.

Studioja e lajmeve u mbulua nga tymi brenda pak sekondave dhe pjesë të tavanit filluan të bien pas goditjes që e la të tronditur edhe spikeren e lajmeve. Ajo u largua menjëherë.

“Të dashur qytetarë fisnikë të Iranit, kini kujdes se ajo që sapo dëgjuat është zëri i fuqisë që ka pushtuar tokën e atdheut tonë…” tha spikerja e televizionit shtetëror përpara goditjes, ndërsa në sfondin e studios u dëgjuan pastaj thirrjet “Allahu Akbar”.

Një sulm i tillë ishte paralajmëruar nga Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se “zëdhënësi i propagandës dhe nxitjes iraniane është në rrugën e zhdukjes”. Më herët autoritetet izraelite bënë thirrje që banorët e Teheranit të largoheshin nga banesat përreth.

“Kjo qendër përdorej nga forcat e armatosura për të avancuar operacionet ushtarake nën mbulesën civile, duke përdorur mjetet dhe asetet e veta. Sulmi u krye në një mënyrë për të minimizuar sa të mundeshim dëmet ndaj [civilëve] të papërfshirë,” tha ushtria izraelite pas sulmit.

“Izraeli do e godasë kudo diktatorin iranian,” shtoi ministri Katz.

Edhe kryeministri Benjamin Netanjahu e justifikoi sulmin.

“Izraeli po vepron kundër objektivave të regjimit… Ai nuk është një kanal televiziv. Nuk është një kanal informativ. Është një vegël e një regjimi totalitar, i cili ua fsheh realitetin qytetarëve të Teheranit dhe Iranit.”

Mediet ndërkombëtare raportuan se televizioni shtetëror iranian iu rikthye transmetimeve të drejtpërdrejta pas ndërprerjes për disa minuta pas sulmit. Irani kërcënoi me një reagim të përafërt, duke lëshuar urdhra evakuimi për dy kanale televizive izraelite, N12 dhe N14.

“Regjimi sionist, armiku i kombit iranian, pak minuta më parë kreu një operacion ushtarak ndaj rrjetit të lajmeve të Republikës Islamike të Iranit. Regjimi [Izraeli] nuk është në dijeni të faktit që zëri i revolucionit islamik dhe Irani i madh nuk do të pushojnë prej një operacioni ushtarak,” tha Hassan Abedini, një përfaqësues i lartë i transmetuesit publik.

Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen me një ritëm të pandërprerë, me Iranin që po përgjigjet me një breshëri të re sulmesh me raketa kundër Izraelit, duke vrarë nëntë persona dhe duke dërguar rreth 300 të tjerë për ndihmë mjekësore mëngjesin e kësaj të hëne.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme