Tirana humbet kapitenin, Përgjoni njofton largimin

Abissnet Superiore | 1 vit më parë

Florjan Përgjoni largohet zyrtarisht nga skuadra e Tiranës. Lojtari, që në sezonin e fundit mbajti shiritin e kapitenit, ka njoftuar në rrjetet sociale vendimin e tij: “Pas katër sezonesh të jashtëzakonshëm me fanellën bardh e blu, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës time”, ka theksuar ndër të tjera 27-vjeçari.

Postimi i Përgjonit:

“Pas katër sezonesh të jashtëzakonshëm me fanellën bardh e blu, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës time. Që kur u bëra pjesë e këtij klubi, kam jetuar çdo moment me përulësi dhe me pasion të pastër; ndjeva peshën e brezave, historinë, legjendat e këtij klubi.

Faleminderit që më keni bërë të ndiej se nuk po luaj vetëm për një skuadër, por për një qytet. Dua të falënderoj Klubin e Futbollit Tirana. Dua të falënderoj bashkëlojtarët e mi. Stafin teknik për mbështetjen dhe për punën e palodhur. Trajnerët me të cilët kam pasur fatin te punoj gjatë këtyre viteve.

Presidencën dhe drejtuesit e klubit për mundësinë dhe besimin e vazhdueshëm. Dhe mbi të gjitha, një falënderim nga zemra shkon për tifozët bardh e blu për çdo suport dhe duartrokitje. Zemra e këtij klubi! Kjo përvojë më ka rritur si futbollist dhe si njeri. Ta përfaqësoja këtë klub si kapiten këtë sezon ka qenë një nder dhe përgjegjësi që do ta mbaj përherë me krenari.

Faleminderit për çdo emocion që më keni dhuruar. KF Tirana do të mbetet përgjithmonë pjesë e imja. Nuk them lamtumirë, them thjesht: “Mirë u pafshim” ! Me shumë mirënjohje dhe respekt, Florian Pergjoni”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme