Procesi i rinumërimit të votave, Lëvizja “BASHKË” ankimon vendimin e KQZ-së për mospranimin e vëzhguesve të saj

Lëvizja “BASHKË” ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ-së për të mos pranuar kërkesën e saj për akreditimin e vëzhguesve në procesin e rinumërimit të votave, proces që u nisi këtë të martë (17 qershor) në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.
Në kërkesën për ankimim, përfaqësuesi i Lëvizjes “BASHKË”, Arlind Qori, shkruan se vendimi i KQZ-së përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe cenon parimin e barazisë mes subjekteve në garë duke ndikuar në besueshmërinë e procesit elektoral.
“E drejta për të pasur vëzhgues është e garantuar nga ligji: Sipas nenit 119 dhe nenit 120 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje kanë të drejtë të akreditojnë vëzhgues në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, përfshirë procesin e rinumërimit të votave. Përjashtimi i Lëvizjes BASHKË nga kjo e drejtë përbën shkelje të parimeve të barazisë së subjekteve në garë dhe cenon besueshmërinë e procesit zgjedhor. Refuzimi për akreditimin e vëzhguesve tanë cenon të drejtën tonë për të garantuar integritetin e votës. Ne kemi respektuar çdo procedurë ligjore. Kërkesa jonë është bërë në përputhje me afatet dhe format e përcaktuara nga ligji, dhe kemi shprehur gatishmërinë për të depozituar listën e vëzhguesve dhe dokumentacionin shoqërues brenda afateve”, thuhet në ankimim.
Lëvizja “BASHKË” kërkon rishikimin e vendimit të KQZ-së, ndërsa shton se duhet “respektuar parimi i ligjshmërisë dhe barazisë në procesin zgjedhor”.
“Kërkojmë rishikimin e vendimit dhe pranimin e kërkesës sonë për akreditimin e vëzhguesve, në mënyrë që të na garantohet e drejta ligjore për mbikëqyrjen e procesit të rinumërimit të votave. Dhënien e një përgjigjeje të arsyetuar me shkrim, ku të sqarohen bazat ligjore të refuzimit të kërkesës sonë, nëse ky refuzim do të mbahet në fuqi”, thuhet në shkresën e Lëvizjes “BASHKË”.
Këtë të martë nisi procesi i rinumërimit të kutive të votimit për 4 qarqe: Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan, vendim i marrë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




