Mazhoranca e opozita përplasen në PE. Fokus, shteti i së drejtës, turizmi, bujqësia dhe zgjedhjet

Prej dy ditësh në Strasburg po mbahet takimi i 19-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku gjatë së enjtes diskutimet dhe debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës kanë vijuar për çështje të ndryshme, si turizmi, zgjedhjet, shteti ligjor etj.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj, vuri theksin te procesi i prokurimeve publike në vend, ku sipas saj ligji ka nevojë për rishikim në përputhje me standartet europiane.
Ajo theksoi se propozimet e dhëna nga opozita në lidhje me ndryshimet që i nevojiten këtij ligji, nuk kanë gjetur mbështetjen e qeverisë.
“Ligji mbi prokurimin publik nuk është rishikuar akoma në përputhje me standardet evropiane. Madje edhe opozita propozoi një paketë për prokurimin publik që ta përafronte atë me standardet evropiane, qeveria refuzoi ta zbatonte këtë gjë.
Tenderat publikë nuk kryen përmes një konkurrence të hapur, transparente, përmes sistemit elektronik të prokurimit publik dhe kjo lë hapësirë për volum të madh të tenderave publike të cilat kanë rritur shumë dukshëm në vitin e kaluar. Megjithatë procesi ngelet i përjashtuar nga aplikimet që duhet të bëhen përmes sistemit elektronik”, deklaroi ajo.
Tabaku nënvizoi mungesën e transparencës dhe konkurrencës së hapur në tenderat publikë, duke theksuar se shumica e tyre nuk zhvillohen përmes sistemit elektronik të prokurimit, gjë që hap mundësi për abuzime dhe skema korruptive.
Ajo përmendi rritjen e numrit të anulimeve në procedurat publike, si dhe përqendrimin e kontratave në disa kompani pa konkurrentë ndërkombëtarë, çka është në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim-asociimit.
“Ka një numër të madh të kancelimeve në procedurat publike, dhe kjo lë vend për manovra dhe tregon mungesën e transparencës.
Përsëri kemi mungesë transparence në aplikimin e teknologjisë informative në prokurimin publik dhe ka kosto të rritura për prokurimin publik kur vjen puna që shumica e tenderave, të paktën 85% të tyre jepen me 99% me vlerën që duket.
Në shumë raste, këto kanë treguar mungesë udhëheqje, metodologjie dhe të aprovimit të një sistemi elektronik.
Së fundi, përqendrimi i kontratave në disa biznese pa konkurrentë të huaj dhe në fakt në shkelje të marrëveshjes.
Këtu kolegët kanë shprehur shqetësimet e tyre për disa kontrata, për shembull: ajo e Aeroportit të Vlorës që u dha pa konkurrencë ndërkombëtare, Porti i Durrësit u dha pa konkurrencë ndërkombëtare. Kemi dhe shumë biznese europianë që u lanë jashtë kësaj gare. Shqipëria kërkon që duhet të zbatojë marrëveshjen e stabilizim-asociimit.
Këto çështje lidhen me kapitullin pesë të grupkapitujve 1. Lufta kundër korrupsionit do të thotë që duhet të mbrojmë sundimin e ligjit”, theksoi deputetja demokrate.
Tabaku solli në vëmendje rastin e fondit IPARD, ku abuzimet me fondet e BE-së bënë që Komisioni Europian të ndalonte 160 milionë euro, duke rritur shqetësimet për menaxhimin dhe decentralizimin e fondeve europiane në Shqipëri.
Tabaku theksoi nevojën urgjente për reforma reale dhe jo vetëm deklarative, duke kërkuar rikthimin e transparencës, fuqizimin e institucioneve dhe luftë të fortë kundër korrupsionit, si kusht thelbësor për integrimin europian të Shqipërisë.
“ Ajo që ka ndodhur me fondet e IPARD në Shqipëri, me fondet e bujqësisë, ku një shkelje në sistem, gjeti një skemë korruptive, ku u abuzua me fondet publike dhe KE u detyrua të ndalonte 160 mln euro të taksapaguesve europianë me të cilat ishte abuzuar në Shqipëri.
Kjo në fakt ngre shqetësim të madh për mënyrën se si funksionon dhe decentralizimin e vetëmenaxhimin e fondeve të BE në të ardhmen. Nëse e marrim integrimin në mënyrë serioze, duhet të marrim reforma jo vetëm në letër. Duhet të fillojmë me rikthimin e transparencë, fuqizimin e institucioneve dhe monopolin e shtetit në lidhje me këto kontrata.
Të paktën dy ligje u aprovuan në parlament që i jepnin kontrata sektorëve specifikë. Gjatë viteve kemi parë krijimin e shumë komisioneve që u përpoqën të fillonin me fjalën reformë, por në raportin e fundit të PE, tha që ky komision i veçantë për reformat nuk ka transparencë në çështjet kryesore se po përpiqet të monopolizojnë sisteme të caktuara si ai i drejtësisë dhe realiteti ka treguar progres zero. Shqipëria ka nevojë për reforma dhe luftë të vërtetë të korrupsionit.”, u shpreh Tabaku.
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës vijuan përplasjet mbi tema të nxehta në Shqipëri, si zgjedhjet, shteti i së drejtës, bujqësia, turizmi. Nga ana e tij, deputeti Toni Gogu vuri theksin te situata e zgjedhjeve në Shqipëri. Gogu garantoi se institucionet kushtetuese në Shqipëri po shqyrtojnë çdo pretendim të opozitës.
“Të gjithë pretendimet sa i përket situatës së zgjedhjeve në Shqipëri janë duke u shqyrtuar nga autoriteti kushtetues i pavarur, KQZ, dhe gjykatat shqiptare siç është Kolegji Zgjedhor. Ju siguroj se besimi që kemi në ato institucione që i kemi ndërtuar së bashku me PE me shumë mund, në 30 vitet sidomos në 10 vitet e fundit përmes reformës madhore në Shqipëri, unë mendoj se duhet të mbetet i paprekur”, tha Gogu.
Për deputetin demokrat Saimir Korreshi, sektori i bujqësisë përbën një prioritet dhe sipas tij, qeveria ka lënë në mjerim fermerët.
“Europa është afër por ju keni harruar stacionin e bujqësisë, njerëzit i keni lënë në mjerim, të gjitha situatat që ata kanë, si me pronën, si me marrjen e granteve”, tha ai.
Deputetja socialiste Evis Kushi vuri theksin te turizmi bregdetar si një prej pjesëve kryesore të zhvillimit. Kushti deklaroi se bashkitë do duhet të investojnë në infrastrukturë.
“Turizmi bregdetar është një nga pjesët kryesore të zhvillimit, jemi të angazhuar që të jetë i vetëqëndrueshëm dhe i përfaruar me standardet e BE. Po kufizojmë privatizimin dhe po u mundësojmë bashkive që të investojnë në infrastrukturë. Është model i ekuilibruar që nxit zhvillimet privat duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve”, deklaroi Kushi.
Prej dy ditësh në Strasburg po mbahet takimi i 19-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Detyra e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri janë shqyrtimi i të gjitha aspekteve të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe në veçanti, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



