Plakja e popullsisë, ekspertët vënë alarmin për efektet negative në ekonomi

Në Shqipëri, të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë në përkeqësim të vazhdueshëm.
Rritja e moshës mesatare nga 31 vjeç në vitin 2010 në 44,3 vjeç në 2024-ën, shtesa natyrore e popullsisë në prag të rritjes negative apo emigracioni i lartë, kryesisht i të rinjve, po e plakin me ritme të shpejta popullsinë.
Efektet në ekonomi, sipas ekspertëve, janë të mëdha dhe vendi nuk është i përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me to.
“Duke pasur më pak forca pune për të dhënë rendiment të lartë në punë, kuptohet që ekonomia e vuan me një rendiment të ulët për çdo punonjës të saj. Duke pasur më shumë të moshuar ne kemi më pak konsum,” shprehet eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli.
Ai propozon disa masa që duhet të ndërmarrë qeveria për zbutjen e këtij fenomeni negativ në ekonomi.
“Të rinjtë duhen motivuar me çdo kusht. Duhet ta kemi kambanë kombëtare, strategji emergjente kombëtare qëndrimin e tyre në vend me çfarëdolloj mënyre, duke u ofruar programe nëse duan të ndërtojnë jetën e tyre, të marrin një shtëpi me mbështetje nga shteti, për t’i ndihmuar në karrierë,” thekson z. Çoçoli.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2023–2024, largimi i popullsisë në moshë pune është rritur me 72 mijë persona, shumica të rinj të cilët kanë emigruar kryesisht drejt Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




