Rreziku nga Rusia – Kuvendi i Finlandës voton për t’u tërhequr nga traktati kundër minave

Kuvendi i Finlandës të enjten votoi në favor të tërheqjes së vendit nga Konventa e Otavës, me të cilën ndalohet përdorimi i minave kundër personelit, në kohën e shqetësimit për rrezikun ushtarak që e paraqet Rusia fqinje.
Finlanda u bashkohet shteteve të tjera të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s që kufizohen me Rusinë përfshirë Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Poloninë që janë tërhequr ose planifikojnë të tërhiqen nga Konventa e Otavës, kur po shtohet frika nga fqinji i tyre shumë më i madh, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.Presidenti Alexander Stubb, i cili i drejton politikat e sigurisë dhe politikën e jashtme të vendit, e mbrojti këtë vendim.
“Realiteti në fund të lojës është që ne kemi fqinj një shtet agresiv e imperialist të quajtur Rusi, e cila vetë nuk është anëtare e Traktatit të Otavës dhe e cila vetë përdor mina tokësore në mënyrë të pamatur”, tha ai.
Rusia ka përdorur mina tokësore gjatë luftës së saj në Ukrainë. Finlanda, e cila e ruan kufirin më të gjatë të NATO-s me Rusinë, do të mund ta fillojë grumbullimin e rezervave të minave gjashtë muaj pas njoftimit formal për anëtarët e tjerë të traktatit dhe për Kombet e Bashkuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




