Qeveria propozon rregulla të reja për menaxhimin e materialit drusor dhe produkteve pyjore

Aktualitet | 1 vit më parë

Një projektvendim i rëndësishëm është hartuar dhe pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, i cili do të përcaktojë rregulla të reja dhe të detajuara për trajtimin, shfrytëzimin, shitjen, eksportin, importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor dhe të prodhimeve jodrusore pyjore. Projektvendimi është hedhur sot edhe për konsultim publik, proces i cili do të zgjasë një muaj.

Ky projektakt adreson gjithashtu kategorizimin dhe standardet teknike të rrugëve autopyjore, si dhe kriteret për shënimin dhe etiketimin e produkteve drusore, përfshirë edhe prerjet shfrytëzuese në sipërfaqet me filizëri të zhvilluar mbi lartësinë optimale.

Qëllimi dhe baza ligjore e projektaktit

Qëllimi kryesor i këtij projektvendimi është mirëqeverisja e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke garantuar shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve. Akti bazohet në nenet e ligjit “Për pyjet”, i cili autorizon Këshillin e Ministrave, me propozim të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, të përcaktojë këto rregulla.

“Nevoja për këtë projektakt buron nga ndërlidhja e proceseve të shfrytëzimit të materialit drusor, prodhimeve jodrusore pyjore dhe bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore (BMET), shitjes, transportit, eksportit dhe importit të tyre. Këto procese koordinohen nga strukturat e bashkive dhe ministria përgjegjëse për pyjet. Përfshirja e rrugëve autopyjore si infrastrukturë mbështetëse e gjithë procesit është konsideruar thelbësore.”, thuhet në relacionin shoqërues.

Objektivat kryesorë

Projektvendimi ka disa objektiva madhorë:

Hartimi dhe miratimi i akteve dhe rregullave për zbatimin e Ligjit 57/2020 “Për pyjet”.

Rregullimet teknike dhe ligjore për trajtimin dhe shfrytëzimin e lëndës drusore dhe produkteve jodrusore, duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e cilësisë së mjedisit natyror.

Krijimi i një sistemi dokumentacioni teknik e ligjor për aktivitetet pyjore, me fokus ruajtjen e potencialeve prodhuese, ekuilibrave mjedisorë, biodiversitetit dhe burimeve gjenetike.

Rritja e të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore ose strukturat përgjegjëse, për të mundësuar ri-investime në mirëadministrimin dhe rigjenerimin e fondit pyjor.

Rregullimi i procesit të administrimit dhe shfrytëzimit të pyjeve, për të ruajtur larminë biologjike dhe kapacitetet ripërtëritëse.

Rregullimi i procesit të prerjes, transportit, shitjes dhe import-eksportit të materialit drusor/pyjor jodrusor dhe BMET.

Standardizimi teknik i rrugëve pyjore si infrastrukturë thelbësore.

Zbatimi dhe implikimet financiare

Për zbatimin e këtij projektvendimi do të ngarkohen bashkitë, organet kontrolluese dhe inspektuese të ngarkuara me ligj, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki.

Lidhur me efektet financiare, projektvendimi nuk pritet të ketë efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit. E gjithë veprimtaria do të kryhet nga strukturat ekzistuese, dhe kostot do të mbulohen nga shpenzimet e pagave të punonjësve aktualë.

Ky akt i ri ligjor pritet të sjellë një rregullim më të thelluar dhe të standardizuar të menaxhimit të burimeve pyjore në Shqipëri, duke kontribuar në ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme