Pishinat në Korçë, brenda standardeve dhe një alternativë në ditët e nxehta
Pishinat janë kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë muajve të verës, duke ofruar jo vetëm freski në ditët e nxehta, por edhe qetësi dhe argëtim për të gjitha moshat.
Por përveç komoditetit që ofrojnë, një ndër aspektet më të rëndësishme që u jep siguri pushuesve është pastërtia e ujit dhe higjiena e përgjithshme e ambienteve.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor ka kryer kontrolle për të verifikuar përmbajtjen e ujit dhe higjienën e ambienteve. Deri më tani, analizat kanë treguar se të 7 pishinat e rrethit të Korçës respektojnë standardet e pastërtisë, duke ofruar kushte të përshtatshme për një verë pa rrezik për shëndetin.
“Janë bërë analizat fiziko-kimike dhe bakterologjike, verifikimet e dokumentacionit si edhe kushtet e punonjësve. Janë kryer kontrolle të ujit të pishinave sipas protokolleve të miratuara për të garantuar cilësinë e ujit të pishinave. Ka rezultuar çdo gjë në norma të higjieno-sanitare”, tha Alvi Naum, shef i Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor, NJVKSH Korçë
Klorifikimi i kontrolluar, pH i balancuar dhe kontrolli i mikroorganizmave janë disa nga proceset teknike që kryhen për të siguruar një ambient të sigurt për pushuesit.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




