Çipa: Akademia e PS nuk do të ndryshojë ligjërimin e deputetëve të rinj
Partia Socialiste ka aktivizuar Akademinë Politike për të parapërgatitur deputetët e rinj që do të ulen në sallën e parlamentit në muajin shtator, si përfaqësues të mandatit të katërt të socialistëve. Ky është edicioni i tretë i akademisë, që këtë herë synon të fokusohet veçanërisht në përmirësimin e komunikimit politik dhe aftësive parlamentare të përfaqësuesve të rinj.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, komentoi nismën dhe ngriti pikëpyetje mbi ndikimin real që kjo akademi mund të ketë në cilësinë e ligjërimit parlamentar.
“Ne nuk presim që Akademia të formësojë ligjërimin apo të moderojë gjuhën e ish-kandidatëve tashmë deputetëve të rinj të parlamentit. Më bëri përshtypje së një ditë më parë kryeministri Rama publikoi listën e deputetëve të qarkut të Vlorës që në fakt sipas statistikës 2/3 të ishin për herë të parë të mandatuar dhe diku te 4 prej tyre konsumonin mandatin e 3 dhe të 5-të,” u shpreh Çipa.
Ai nënvizoi se një pjesë e mirë e deputetëve janë rishtarë në politikë, dhe PS duket e interesuar që përmes akademisë të krijojë një kod të brendshëm komunikimi, të domosdoshëm për një shumicë në pushtet.
Sipas tij, akademia më shumë shërben për të formatuar sjelljen e deputetëve në raport me qëndrimet e partisë dhe për të përforcuar unitetin e grupit parlamentar.
“ Mendoj se kemi të bëjmë me një moment që në Akademi politike e parë në kulturën e partive moderne europiane përgjithësisht funksionon dhe krijon modulet e ambientimit me opozitarizmin apo parlamentarizmin në përgjithësi. Kur PS është në pushtet, ajo merret më shumë me gjuhën e komunikimit, kundërshtarët politik dhe tenton të krijojë kodin e komunikimit dhe brenda grupit parlamentar që do të thotë: kur ne themi që duhet të heshtni, do heshtni dhe kur themi që do replikoni, do replikoni me gjuhën që i nevojitet partisë apo qeverisë. Kjo është një gjë që merret në konsideratë,” shtoi ai.
Çipa theksoi se ndryshe nga e shkuara, këtë herë Akademia Politike po funksionon në një formë më të strukturuar dhe me rol të dukshëm në strategjinë parlamentare të PS-së. Megjithatë, ai mbetet skeptik për sa i përket pavarësisë mendimore të deputetëve të rinj.
“Jam skeptik nga leximi psikologjik që u bëj deputetëve të rinj. Në kushtet kur PS e ka investuar vetë daljen e tyre në përfaqësimin parlamentar, janë shumë pak, një pjesë e senatorëve e kanë fituar këtë gjë. Ata u vunë para një sfide, u vendosën në lista të hapura. Ndruaj të them që lexoj një mëvetësi, qoftë dhe aftësi të interpretimit vetjak të asaj çka do jetë qëndrim politik në parlament. Vërej pacilësishmërinë e fjalimeve,” tha Çipa, duke sjellë në vëmendje disa figura të rralla që, sipas tij, kanë lënë gjurmë me diskutimet e tyre në Kuvend, si Ben Blushi dhe Agron Gjekmarkaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




