Berisha publikon videon: Grupi parlamentar i PPE në KiE, u njoh sot me farsën e 11 majit

Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar një video, ku sikurse pretendon ai, paraqet atë që e cilëson si farsa elektorale e 11 majit.
Në video e publikuar për mediet, Berisha pretendon se zgjedhësve iu janë dhënë nga disa fletë votimit dhe të cilat janë kontrolluar nga komisionerët për të shkuar kundrejt partisë socialiste.
Këtë video, Berisha thekson se iu është paraqitur edhe grupit parlamentar të PPE-së në Këshillin e Europës.
“Sot në Këshillin e Europës do të paraqitet nga kryetari i delegacionit të Këshillit Europës, që vëzhgoi zgjedhjet, raporti i parlamentarëve Europianë, anëtarë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Simone Billi.
Ky raport është diskutuar sot në grupet parlamentare dhe do të diskutohet në seancën plenare të kësaj asambleje, për të marrë formën përfundimtare.
Zonja Albana Vokshi, e pranishme në grupin parlamentar të Partisë Popullore, paraqiti që në mëngjes një video shokuese, shokuese për audiencën, e cila tregoi se pse zgjedhjet në Shqipëri, ishin një farsë e tipit të Zimbabeve të 30 viteve më parë.
Edhe njëherë e them, pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ishin shokuese për audiencën”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati u ka bërë thirrje qytetarëve të mbrojtën të drejtën e tyre dhe të ngrihen kundër qeverisë Rama.
“Nuk mundet kurrë ndërgjegjja e një njeriu të pranojë këtë farsë. Por sido qoftë ne e bëjmë këtë si detyrim. Natyrisht përgjigja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre.
Do të tolerojnë ata një poshtërim të tillë, do të tolerojnë ata një qeveri legjitimiteti i të cilës nuk ekziston, pushteti i të cilës bazohet në një farsë të turpshme elektorale apo do të ngrihen ata për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si njerëz të qytetëruar.
Unë besoj tek e dyta dhe këtu qëndron Partia Demokratike e cila kurrë nuk do ti pranojë këto zgjedhje”, përfundoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




